Chelsea e mposht Cityn në “Etihad”

Dy finalistët e Ligës së Kampionëve sivjet, Manchester City dhe Chelsea u takuan në xhiron e 35-të në Premier Ligë, ku triumfuan mysafirët në fundin e sfidës.

Ndeshja nisi më mirë për Cityn që kaloi në epërsi në fund të pjesës së parë përmes Raheem Sterling. Një minutë më vonë, Edouard Mendy priti penalltinë e Agueros.

Në pjesën e dytë, skuadra e Tuchel ndryshoi fytyrë dhe arriti të rrëmbente fitoren në “Etihad”. Hakim Ziyech në minutën e 63-të dhe Marcos Alonso në minutat e fundit realizuan në fitoren e Bluve.

Me këtë fitore, Chelsea ngjitet në vendin e tretë me 64 pikë, ndërsa City me 80 pikë mban vendin e parë, por duhet të presë edhe një ndeshje për ta siguruar matematikisht titullin.