Çitaku: PDK së shpejti do ta formojë “Qeverinë në Hije”

Nënkryetarja e parë e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi gjatë një debati me studentët e UBT-së se kjo parti shumë shpejtë do ta formojë Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, që ndryshe njihet edhe si “Qeveri në Hije”.

“Përmes këtij Kabineti PDK nuk do të jetë vetëm kritikuese për Qeverinë aktuale, por do të ofrojë edhe alternativa si zgjidhje të qëndrueshme për probleme të ndryshme”, u shpreh ajo.

Ish ambasadorja Çitaku tha se PDK si parti i jep mbështetje të plotë Qeverisë së Kosovës në përmbylljen e dialogut me Serbinë.

Po ashtu, ajo kërkoi që pozitë dhe opozitë pa dallim të jenë njëzëri kur është në pyetje politika e jashtme e Kosovës.

Gjatë këtij debati me studentë të Fakultetit të Mediave dhe Shkencave Politike të UBT-së, ish Ambasadorja e Kosovës në SHBA foli edhe për raportet e Prishtinës me Washingtonin duke kërkuar kujdes maksimal në trajtimin e tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ajo tha se Kosova duhet ta kapitalizojë mundësinë që ka tani që ta përmbyllë marrëveshjen me Serbinë në kohën kur në Zyrën Ovale është një mik i madh i Kosovës, si Presidenti Joe Biden.