City kualifikohet në finale të Ligës së Kampionëve, elimonon PSG-në

Manchester City është finalisti i parë në Ligën e Kampionëve për edicionin 2020/2021.

“Qytetarët” kanë eliminuar në gjysmëfinale Paris Saint-Germainin me rezultat të përgjithshëm 4:1 në dy ndeshjet.

City në ndeshjen e dytë fitoi me rezultat të pastër 2:0 në stadiumin “Etihad” në Angli.

Dy golat e kësaj sfide u shënuan nga sulmuesi në formë, Riyad Mahrez në minutën e 11-të dhe të 63-të.

Vlen të theksohet se francezët mbetën me një lojtar më pak në fushë që nga minuta e 69-të kur u përjashtua me të kuq Angel Di Maria.

Kësisoj, skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola do të përballet në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve me fituesin e takimit Chelsea – Real Madrid.

Paris Saint-Germaini, i cili ishte finalist në edicionin e kaluar ka dështuar sërish në ligën më prestigjioze në Evropë ndonëse investimet për të triumfuar në këtë garë ishin marramendëse.