Çmimi i naftës arrin vlerë rekorde në Kosovë

Çmimi i naftës ka arritur vlerë rekorde të mërkurën në Kosovë. Një litër naftë po kushton 1.84 euro.

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës pati thënë ditë më herët se rritja e çmimeve po reflektohet në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë ka pasur kritika lidhur me operatorët që nuk po i ulin çmimet kur nafta po shënon rënie në bursë.

Rritja e çmimit të naftës nisi që nga pushtimi rus i Ukrainës, pas të cilit zhvillim Perëndimi ndërmori sanksioneve ndaj Rusisë, një prej furnizuesve më të mëdhenj të Evropës me naftë.

Për një javë çmimet e derivateve janë rritur për 15 centë. Të martën një litër naftë është tregtuar me 1 euro e 79 centë, ndërsa një litër benzinë 1 euro e 83 centë. Rritja është theksuar pas skadimit të vendimit të Qeverisë që kufizonte marzhën tregtare.

Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thonë se me Ligjin e ri për naftën ua lejon ndërhyrjen në çmime, por që duhen akte nënligjore për këtë.

Gazetari i ekonomisë, Zekirja Shabani ka kërkuar që Qeveria të merr masa duke hequr akcizën për naftën.

Sipas tij, një litë naftë kushton 60 cent më shtrenjtë prej ditës kur Qeveria mori vendim për ta kufizuar fitimin e naftëtarëve, shkruan www.gazetastop.com

“Sot një litër naftë kushton 1.84 euro cent. Rreth 60 euro cent më shtrenjtë prej ditës kur qeveria mori vendim për ta kufizuar fitimin e naftëtarëve, si masë për uljen e çmimeve të derivateve. Kemi thënë se vendimi i qeverisë për të kufizuar fitimin e naftëtarëve nuk e zbret çmimin e naftës në treg e as nuk e ndal mashtrimin me litra e cilësi të derivateve. Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari duhet ta kuptoi se qytetarët do të ndihmoheshin më shumë nëse qeveria pezullon ose e zbret akcizën e naftës për një periudhë të caktuar (norma e akcizës aktualisht është 36 cent për naftë dhe 38 cent për benzinë). Ndërkaq, duhet të shtohen urgjentisht kontrollet për cilësi në pika të karburanteve pasi qytetarët po furnizohen me naftë jo cilësore e po vidhen në litra”, ka shkruar Shabani.