Çmimi i naftës në bursa, më i ulëti që nga janari

Çmimet e naftës në bursa kanë rënë këtë të hënë, për të dytën ditë radhazi nga frika e kërkesës më e ulët për karburant për shkak të rritjes së normave të interesit në mbarë botën, shkroi Reuters.

Çmimi për naftën e papërpunuar Brent ka shënuar ndryshimin më të madh që nga nëntori me rënie prej 54 centësh ose 0.63 për qind, përkatësisht në 85.61 dollarë për barel. Ndërsa për naftën e papërpunuar të Teksasit Perëndimor ka shënuar ndryshime për 48 centë që nga nëntori ose 0.61 për qind, përkatësisht në 78.26 dollarë për barel.

Që të dyja, kanë rënë rreth 5 për qind javën e kaluar, duke shënuar rënien më të ulët që nga janari.

Bankat qendrore në shumë vende konsumatore të naftës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara si përdoruesi më i madh i naftës së papërpunuar në botë, kanë rritur normat e interesit për të luftuar inflacionin në rritje që ka çuar në shqetësime se mund të shkaktohet ngadalësim ekonomik.

Shefi ekzekutiv i tregtarit të energjisë Vitol, Russell Hardy, tha nga Singapori se më shumë se një milion fuçi në ditë e naftës së papërpunuar amerikane pritet të shkojnë në Evropë për të mbushur boshllëkun nga furnizimet ruse.

Kreu i kompanisë shtetërore kolumbiane të energjisë Ecopetrol, tha në të njëjtën konferencë se kjo kompani ka shitur më shumë naftë në Evropë, duke zëvendësuar furnizimet ruse, por sheh rritje të konkurrencës në pjesën e tregut në Azi.