Çokollata e zezë mund të ndihmojë kundër presionit të lartë në gjak

Çokollata e zezë mund të ndihmojë për ta parandaluar tensionin e lartë të gjakut, i cili është i rrezikshëm për shëndetin kardiovaskular, raporton MedicalNewsToday.

Një studim që u publikua në revistën “Natyre Scientific Report” sugjeron se konsumimi i çokollatës së zezë ulë rrezikun nga hipertensioni si dhe nga tromboza venoze, që do të thotë se kjo çokollatë ndihmon kundër bllokimit të enëve të gjakut.

Flavonidet që gjenden në çokollatë të zezë stimulojnë enët e gjakut që të zgjerohen mjaftueshëm e të lejojnë rrjedhën e mirëfilltë të gjakut nëpër vena.

Kjo çokollatë së fundmi është bërë cak i studiuesve shkencor, të cilët po dëshirojnë të dinë më shumë rreth të mirave shëndetësore që sjell ajo.

Kakao, përbërësi kryesor i çokollatës së zezë, është i pasur me flavonide, prandaj sa më e lartë të jetë përmbajtja e kakaos në një çokollatë, aq më e shëndetshme është.

Çokollata e zezë është e pasur me fibra, hekur, magnez, fosfor e zink.

Si e tillë kjo çokollatë ulë numrin e radikaleve të lira, përmirëson qarkullimin e gjakut duke e ulur tensionin e lartë të tij, ulë rrezikun nga kolesteroli i keq, ulë rrezikun nga infeksionet, ulë rezistencën nga insulina. Prandaj çokollata e zezë i ndihmon trurit të bëjë një lidhje më të mirë në mes të neuroneve, si dhe të rrisë diversitetin e mikrobiomeve të shëndetshme në stomak.

Sipas shkencëtarëve këto të mira shëndetësorë që përmban kjo çokollatë, ndihmojnë kundër sëmundjeve zemrës, kundër infeksioneve të ndryshme si dhe sëmundjeve që mund të shkaktohen nga infeksionet.

“Që një çokollatë të konsiderohet çokollatë e zezë, duhet të përmbajë më shumë se 50% kakao, shumica e çokollatave të zeza në treg janë të përbëra nga 70% deri në 90% kakao, gjë që do të thotë se nuk ka vend për sheqerna e shtesa të tjera për ëmbëlsim. Prandaj kjo çokollatë ka shije më të ithët se sa çokollatat që bëhen me qumësht”, ka thënë Karen Z. Breg, që është nutriciste.

Berg ka bërë të ditur se sa më shumë kako që përmban çokollata, aq më shumë do të përmbaj kafeinë.