“Daily Mail” shkruan për babanë dhe prejardhjen e Rita Orës: Ajo vjen nga Kosova

Rita Ora ndau një seri fotografish të adhurueshme të enjten, në ditëlindjen e babait të saj.

Këngëtarja 29-vjeçare publikoi në InstaStory një fotografi të realizuar në fëmijëri, ku shfaqej ne ulur në prehrin e babait të saj, Besnikut, shkruan DailyMail.

Në një fotografi tjetër, dyshja dukeshin të lumtur ndërsa pinin një koktej të madh së bashku.

 “Të dua shumë”, shkroi 29-vjeçarja në mbishkrimin e kësaj fotografie, referuar babait të saj.

Në një tjetër imazh që artistja ndau me ndjekësit e saj, Rita dukej e buzëqeshur pranë të atit, teksa shkruante në mbishkrimin e fotografisë: “Gëzuar ditëlindjen baba”.

Gazeta britanike, DailyMail, gjithashtu i dedikoi disa rreshta të shkurtër historisë së largimit të familjes Sahatçiu nga Prishtina në Mbretërinë e Bashkuar.

“Krijuesja e hiteve lindi në atë që tani quhet Kosovë, në Shqipëri nga nëna e saj Vera dhe Besniku, një pronar i një pijetoreje në Londër”, citohet në mediumin britanik.

Çifti u transferua në Londër në vitin 1991 kur Rita ishte fëmijë për shkak të represionit serb dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ylli tregoi talent për muzikë që në moshë të hershme, duke performuar si fëmijë në programe të vogla që zhvilloheshin në Londër, përfshirë performancat në pijetoren e të atit para se të bëhej e famshme.

Rita Ora është një emër që gjithmonë është krenuar me origjinën e saj, teksa vizita e saj e fundit në Kosovë, ishte ajo e prillit të vitit të kaluar, ku së bashku me UNICEF-in vizitoi disa fshatra dhe familje skamnore të Kosovës.