Sunny Hill Festival

Dështojë tre kandidatë të VV-së për kryetar të Kuvendit

Gjatë vazhdimit të seancës konstituive, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje s’arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës.

Kjo ishte hera e dytë që Murati u propozua për këtë post, dhe hera e parë për Nagavcin dhe Bashkën.

Për Muratin dhe Nagavcin votuan 55 deputetë, 46 ishin kundër. Për Muratin abstenuan pesë deputetë, e për Nagavcin katër.

Ndërkaq, Basha mori 57 vota për, 25 ishin kundër dhe 24 abstenuan. Ai mori votën e Arben Gashit dhe Bekë Berishës, nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Seanca konstituive u ndërpre dhe do të vazhdojë më 26 gusht, duke filluar nga ora 11:00.

Pas seancës, Hekuran Murati, tha se qëllimi i partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë është që të bllokojë formimin e institucioneve të Kosovës. 

“Qëllimi i këtyre partive që rezultatin që nuk ua dha me votë qyteti, me këto makinacione të tentojnë të vjedhin rezultatin në tavolinë, përmes zvarritjeve të tilla”, tha Murati.

Sa i përket votës kundër të Partisë Demokratike të Kosovës për Dimal Bashën – ndonëse kjo parti ka shprehur se ka votë kundër vetëm ndaj personave që kanë qenë ministër në Qeverinë e Albin Kurtit – Murati tha se kjo dëshmon se problemi nuk ka të bëjë me emra të përvetshëm. 

“Edhe kjo fraza ‘na duhen konsulta’ është vetëm një tentitivë për shtyrjen dhe vonesën e radhës sepse po shihet qartë qëllimi i tyre. Bëhet fjalë për makinacione – e jo për parime – sa herë që LVV ofron kompromis, partitë opozitare sjellin një kusht të ri”, tha Murati. 

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se kërkuan nga kryesuesi Avni Dehari pauzë 10-minutëshe me partitë e tjera para se të votohej për Bashën, por kjo nuk iu dha.

“Shpresoj që pasnesër Dehari të mos ketë arrogancë. Nëse ka një propozim që mund të marrë votat e PDK-së të japë një pauzë 10-minutëshe”, tha ai.

PDK-ja ka thënë se nuk voton ministrat e Qeverisë së Albin Kurtit, kujtoi Krasniqi, por Basha është deputet dhe tha se mund të marrë vota të partisë së tij.

“Rezerva kam për secilin”, theksoi Krasniqi, por shtoi se Basha sot edhe mund të zgjidhej kryeparlamentar nëse do të kishte një konsultë para votimit.

Pas seancës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi, sqaroi se Basha ia kishte kërkuar votën më parë, prandaj ai e votoi. 

Besian Mustafa tha se LDK-ja ka qëndrimin e saj që nuk voton kandidat të LVV-së pa një marrëveshje politike, por shtoi se deputeti Gashi, me votën për Bashën, shprehu qëndrimin e tij.

“Në mungesë të një marrëveshje politike, cilado parti që do të propozonte dikë për kryekuvendar, LDK-ja nuk ka pse ta votojë”, tha Mustafa.

Ky ishte vazhdimi i tretë i seancës konstituive që nga publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht.

Sipas aktgjykimit, deputetët kanë 30 ditë kohë për të zgjedhur kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

Kryeparlametari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe një emër mund të hidhet në votim deri në tri herë.

Që nga publikimi i aktgjykimiz, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar edhe Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën, por ato nuk kanë arritur të marrin 61 votat e nevojshme.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë thënë se votojnë për kandidatë të caktuar nga LVV-ja. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë argumentuar se nuk kanë votë për asnjë kandidat për kryeparlamentar pa një marrëveshje politike.

LVV-ja në seancat paraprake – para aktgjykimit të fundit të Kushtetueses – kishte insistuar në emrin e Haxhiut për kryeparlamentare. Tani kjo parti thotë se pas dështimit që Gërvalla dhe Murati të zgjidhen në drejtimin e Kuvendit, argumenti i partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë, se Haxhiu nuk është person i papërshtatshëm për këtë post, nuk qëndron. LVV-ja akuzon partitë e tjera për bllokim të krijimit të institucioneve.

Por, partitë e tjera thonë se tani LVV-ja po propozon emra që e di se nuk kanë votë për t’u zgjedhur kryeparlamentar. AAK-ja ka kërkuar të dijë emrin e kandidatit të LVV-së, para se ai të propozohet, por nuk gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.