Dështon konstituimi i Kuvendit

Për të 12-tën herë ka dështuar përpjekja për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe që nga atëherë kanë kaluar vetëm dy pika të rendit të ditës. Ngërçi është krijuar te pika e tretë, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Edhe në seancën e sotme, sikurse në tri të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit, nga i hapur në të fshehtë, por komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces, nuk ka marrë votat e mjaftueshme. 
Me vetëm 56 vota pro, sërish ka dështuar përpjekja që të formohet një komision zgjedhor për votim të fshehtë për kryeparlamentar të Kuvendit. Si rrjedhojë, pas vetëm 4 minutash seancë, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu punimet dhe Kuvendi do të mblidhet sërish pas dy ditësh në përpjekjen e 13-të për konstituim.

Teksa zhvillohej procesi i votimit, deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pyesnin se për çka po votohej.

Një votë ishte kundër e nuk pati asnjë abstenim.

Seanca e ardhshme do të mbahet më 9 maj në fillim prej orës 10:00.