Xhavit Haliti

Dieta mesdhetare mund të ulë rrezikun e sulmit në tru deri në 25%

Një studim i madh që ka zgjatur mbi 20 vjet sugjeron se dieta mesdhetare mund të ulë ndjeshëm rrezikun e të gjitha llojeve të goditjes në tru, në disa raste deri në 25 për qind, ka raportuar The Guardian.

Dieta mesdhetare, e pasur me vaj ulliri, arra, peshk, drithëra integrale dhe perime, është lidhur prej kohësh me përfitime të shumta shëndetësore. 

Megjithatë, deri më tash kishte pak prova se ajo ndikon në uljen e rrezikut për të gjitha format e sulmit në tru.

Studimi, i publikuar në revistën Neurology Open Access të Akademisë Amerikane të Neurologjisë, ka treguar një lidhje mes dietës dhe rrezikut më të ulët për goditje në tru, por nuk dëshmon drejtpërdrejt se dieta është shkaku.

Rezultatet janë përshëndetur nga ekspertë të pavarur, të cilët thonë se ekziston “potencial i madh” për parandalimin e kësaj sëmundjeje. 

Çdo vit, mbi 15 milionë njerëz në botë përjetojnë një sulm në tru, rreth 5 milionë vdesin dhe 5 milionë të tjerë mbeten me pasoja të përhershme.

Çka tregoi studimi

Studimi u drejtua nga studiues në SHBA dhe Greqi dhe përfshiu 105,614 gra në Kaliforni, me moshë mesatare 53 vjeç në fillim të studimit, të cilat nuk kishin histori goditjeje në tru.

Pjesëmarrëset u vlerësuan me pikë nga 0 në 9, në varësi të sa shumë ndiqnin dietën mesdhetare.

Pikë shtesë u jepeshin atyre që konsumonin më shumë se mesatarja:
-drithëra integrale
-fruta dhe perime
-bishtajore
-vaj ulliri
-peshk
-si dhe konsum të moderuar të alkoolit.

Ndërkohë, më pak pikë merrnin ato që konsumonin më shumë mish të kuq dhe produkte qumështi.

Gratë u ndoqën për një periudhë mesatare prej 21 vjetësh. 

Pas përllogaritjes së faktorëve të tjerë të rrezikut, si duhanpirja, aktiviteti fizik dhe tensioni i lartë i gjakut, u pa se ato që kishin pikët më të larta ishin:

-18 për qind më pak të rrezikuara nga çdo lloj sulmi në tru

-16 për qind më pak të rrezikuara nga sulmi ishemik

-25 për qind më pak të rrezikuara nga sulmi hemorragjik.

Sulmi ishemik ndodh kur bllokohet rrjedha e gjakut drejt trurit dhe është forma më e shpeshtë, ndërsa ai hemorragjik shkaktohet nga gjakderdhja në tru.

Çka thonë studiuesit dhe ekspertët

“Gjetjet tona mbështesin gjithnjë e më shumë provat se ushqyerja e shëndetshme është thelbësore për parandalimin e sulmit në tru. Ishim veçanërisht të interesuar të shihnim se ky përfitim vlen edhe për sulmin hemorragjik, pasi shumë pak studime të mëdha janë fokusuar në këtë lloj”, ka thënë autorja e studimit, Sophia Wang, nga City of Hope Comprehensive Cancer Centre në Kaliforni.

Ajo ka shtuar se nevojiten studime të tjera për të kuptuar më mirë mekanizmat pas këtij efekti mbrojtës.

Ndërkohë, Juliet Bouverie, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Stroke Association, ka theksuar se nëntë nga dhjetë sulme në tru mund të parandalohen.

“Prej kohësh dihet se dieta mesdhetare ndihmon në uljen e rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare, përfshirë sulmin në tru. Është inkurajuese që tani kjo dietë është lidhur me uljen e rrezikut për të gjitha llojet e sulmit, përfshirë edhe atë hemorragjik, i cili ndonëse më i rrallë, është shumë më i rëndë”, ka thënë ajo.