Distria e argjendtë në garën më të famshme të xhudos

Distria Krasniqi ishte pjesë e një finaleje të jashtëzakonshme në Grand Slamin e Parisit. Ndonëse në kategori të re, Distria ka zhvilluar luftë shumë të fortë me xhudisten numër një në ranglistën botërore, francezen Amandine Buchard. Lufta ishte shumë e fortë dhe zgjati gati tetë minuta. Në fund fitoi Buchard, që shfrytëzoi një moment pakujdesie të xhudistes kosovare. Buchard realizoi hedhje për “Waza-ari”.

Finalja Buchard – Krasniqi është vlerësuar e jashtëzakonshme edhe nga komentatorët e IJF-së. Është paralajmërim i një rivaliteti të ri në kategorinë deri 52 kg.

Krasniqi për herë të parë është përballur me Buchardin, që njëjtë si xhudistja kosovare është e njohur për xhudon sulmuese.

Me gjithë humbjen në finale, Distria ka dëshmuar që i takon elitës botërore edhe në kategorinë e re.

Për Distrinë është medalja e pestë në Grand Slamin e Parisit, garë në të cilën mungoi vitin e kaluar. Në vitin 2020, xhudistja 26-vjeçare e kishte fituar të artën në kategorinë deri 52 kg. Në vitin 2019 e kishte fituar medaljen e argjendtë në kategorinë deri 48 kg. Në vitin 2018 i takoi medalja e bronztë (52 kg), njëjtë si në vitin 2017.

Deri në finale të shtunën, Distria arriti me paraqitje impresive. Me Ippon shumë të bukur e kaloi francezen Anais Mosdier. Ndaj britanikes Chelsie Giles lufta shkoi në kohën shtesë, ku Distria realizoi “Waza-ari”. Gjysmëfinalja ndaj zviceranes Fabienne Kocher zgjati 57 sekonda. Madje për këtë kohë, Distria fillimisht realizoi hedhje të bukur për “Waza-ari” e më pas hedhje tjetër, edhe më të bukur, për “Ippon”.

Distria në “Tokio 2020” kishte fituar medaljen e artë në kategorinë deri 48 kilogramë. Pas Olimpiadës vendosi të kaloi në kategorinë deri 52 kg, ku ka garuar edhe më herët. Një garë në vjeshtë nuk shkoi shumë mirë, pasi Distria sapo ishte kthyer në procesin stërvitor. Një javë më parë në Portugali fitoi të artën në garën Grand Prix dhe nivelin superior e dëshmoi edhe në Paris. Medalja tjera priten prej saj në garat e ardhshme.

Për shkak të ndryshimit të kategorisë, Distria është vetëm e 22-ta në ranglistën botërore. Për këtë ishte vetëm bartësja e shtatë në Paris. Buchard është e para në ranglistë dhe rrjedhimisht edhe bartësja e parë. Por Distria shpejtë do të jetë në mesin e bartëseve kryesore edhe në kategorinë e re.

Kosova në Paris u përfaqësua edhe me Akil Gjakovën, Laura Fazliun e Flaka Loxhën. Akili arriti një fitore, ndërsa Laura e Flaka u ndalën në luftërat e para. Dy xhudistet e reja i udhëhoqi Majlinda Kelmendi, kampiona olimpike. Për Majlindën ishte gara e parë si trajnere në nivelin e të rriturve.