Dorëheqje apo shkarkim – a do të ketë zgjedhje në veri këtë vit?

Bashkimi Evropian është duke i kërkuar me ngulm Kosovës që të shpallë zgjedhje të reja në veri, derisa ende nuk dihet saktësisht nëse kryetarët veriorë do të dorëhiqen apo shkarkohen, dhe nëse zgjedhjet do të mbahen këtë vit.

Drafti i udhëzimit administrativ, që u mundëson qytetarëve të komunave të Kosovës shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes peticionit, do të dalë në diskutim publik më 26 gusht, thonë zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Një dokument i tillë vjen në kohën kur Bashkimi Evropian është duke i kërkuar me ngulm Kosovës që të shpallë zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Këto komuna aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë.

Ata kanë dalë nga zgjedhjet e prillit, të cilat janë bojkotuar nga popullata shumicë serbe.

Por, marrja e detyrës nga ta ka tensionuar situatën në veri qysh në fund të majit, kur banorët lokalë kanë nisur të protestojnë kundër tyre. Zgjedhjet e reja tani shihen si mënyrë për shtensioimin e situatës.

Për më tepër, ato janë edhe obligim që dalin nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për këtë qëllim.

Zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal besojnë se në aspektin procedural, zgjedhjet e parakohshme në këto komuna mund të mbahen gjatë këtij viti, por ndryshe mendojnë njohësit e proceseve zgjedhore.

Besim Murtezani, zëvendësudhëheqës i Departamentit ligjor dhe monitorimit të komunave në kuadër të MAPL-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se diskutimi publik për udhëzimin administrativ do të zgjasë deri më 31 gusht.

“Të enjten [31 gusht] e kemi takimin e fundit të grupit punues dhe ai do t’i përfshijë sugjerimet dhe vërejtjet prej diskutimit publik dhe [pastaj] do të bëhet drafti përfundimtar, në mënyrë që të premten, më 1 shtator, t’i dërgohet ministrit për nënshkrim”, thotë Murtezani.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar qysh më herët se udhëzimi administrativ do të jetë gati më 1 shtator.

Rregullat procedurale thonë se pas nënshkrimit nga ministri, do të duhen shtatë ditë që udhëzimi administrativ, pas daljes në Gazetën Zyrtare, të hyjë në fuqi.

Pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi administrativ, qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës mund ta iniciojnë menjëherë peticionin për largimin e kryetarëve aktualë të atyre komunave.

Sipas Murtezanit, kohëzgjatja e mbledhjes së nënshkrimeve në peticion është 45 ditë që nga inicimi i peticionit, por procesi mund të kryhet edhe më shpejt, nëse arrihet mbledhja e 20 për qind të nënshkrimeve të votuesve nga iniciuesit e peticionit.

Më pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sqaron Murtezani, verifikon nënshkrimet e votuesve dhe organizon votimin në komunën ose komunat që kanë iniciuar peticion.

Për shkarkimin e kryetarit të një komune nevojiten 50 për qind plus 1 votë nga numri i përgjithshëm i votuesve të komunës përkatëse.

Në rast se rezultati i votimit kërkon shkarkimin e kryetarëve, atëherë ai i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse, si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Ndonëse dorëheqja eventuale e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës do t’i përshpejtonte procedurat e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se nuk do t’ua kërkojnë këtë gjë kryetarëve aktualë.

Sipas tyre, zgjedhjet në këto komuna mund të mbahen vetëm pas shkarkimit të kryetarëve aktualë përmes peticionit të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të secilës prej këtyre komunave.