Drejtori i Policisë: 30 të dyshuar u larguan në këmbë nga Manastiri i Banjskës, lanë pas automjetet e tyre

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar të hënën së rreth 30 persona të përfshirë në sulmin e djeshëm terrorist ndaj Policisë së Kosovës në veri, kanë arritur të ikin nga Manastiri i Banjskës në këmbë.

Sipas tij, ata kanë lënë pas 24 automjete, një prej të cilave mjet i blinduar. Brenda këtyre veturave, Hoxha tha se janë gjetur sasi e madhe e armatimit të kalibrave të ndryshëm.

“Personat e tjerë të dyshuar që bazuar në pamjet e sigurisë, mund të ishin rreth 30 persona kanë arritur që të largoheshin në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth manastirit të Banjskës, duke lënë mbrapa automjetet e tyre, që gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, rezulton të jenë 24 automjete, një mjet i blinduar, si dhe dy motorë me katër rrota, në brendi të të cilave automjete gjendej në sasi e madhe e armatimit të kalibrave të ndryshëm”, tha ai, përgjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Gjatë ekzaminimit të vendin e ngjarjes, në hapësirat në dhe përreth Manastirit të Banjskës janë gjetur trupat e tre personave të vrarë që janë në proces të verifikimit, të cilët dyshohet të jenë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me ekipet e Policisë së Kosovës. Personat e vrarë ishin të pajisur me armë të gjata dhe kishin të veshur uniforma dhe pajisje të tjera ushtarake”, shtoi Hoxha.