Dritan Abazoviq dorëzon kërkesën për rrëzimin e Qeverisë së Malit të Zi

Kuvendi i Malit të Zi ka pranuar një kërkesë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme më 4 shkurt, në të cilën do të kërkohet votimi i mosbesimit të Qeverisë. Kërkesën e ka dorëzuar koalicioni “E zeza mbi të bardhën” dhe opozita, raportojnë mediumet malazeze.

Në Mal të Zi po synohet formimi i një koalicioni të pakicave, ku në krye do të jetë Dritan Abazoviqi.

Po ashtu mësohet se koalicioni “E zeza mbi të bardhën” dhe opozita planifikojnë të bëjnë kërkesën për të ndërruar kryetarin e Kuvendit, Aleks Beçiq.

Mirëpo, fillimisht Kuvendi do të shqyrtojë propozimin e kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, për shkarkimin e Abazoviqit, që është zëvendëskryeministër.

Krivokapiq ka dorëzuar këtë kërkesë në Kuvend për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme më 3 shkurt.