Deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka thënë se ka vendosur që të rri në opozitë, duke deklaruar se vota e saj nuk është “votë vendimtare” për pozitën e kryekuvendarit dhe formimin e Qeverisë.
Në një lidhje direkte përmes telefonit në emisionin “Kallxo Përnime”, Balje tha se kryesia e partisë ka vendosur për opozitë dhe nuk e beson që do të ketë ndonjë ndryshim.
“Tash edhe me qenë unë në opozitë nuk ka me ndryshu asgjë. Unë jam e sigurt që Vetëvendosje ka me gjet zgjidhje. Ne sot kemi vendosë me shku në opozitë. Ne sot kemi vendosë dhe nuk besoj që ka me ndodhë ndonjë ndryshim” – deklaroi Duda Balje.
Ajo tha se gjatë kësaj periudhe të fundit është takuar vetëm një herë me Albin Kurtin dhe takimi, sipas saj, ka qenë bashkë me Emilja Rexhepin.
“Unë kam shkuar vetëm njëherë në takim me kryeministrin, në takimin e dytë unë kam qenë bashkë me Emilja Rexhepin. Aty kam marrë propozimin për ministre, më nuk kam pasur takim me kryeministrin”, tha Balje, raporton Kallxo.com.
Ajo tha se kërkesa e saj ka qenë fillimi i procesit për një komunë boshnjake në Kosovë, e jo pozita e ministres në Qeveri.
“E di që formimi i komunës është një proces që mundet me zgjatë edhe 4-5 vite. Qysh e kutpova prej kryeministrit është shumë kundër. Votimi në Kuvend është faza e fundit, edhe nëse nuk shkon, në rregull. Edhe nëse deputetët nuk votojnë, unë nuk mundem me bo presion për vota. Unë katër vite kam qenë me opozitë, nuk kam pasur bashkëpunim të mirë me Vetëvendosjen, këto katër vite unë kam pasur një zëvendësministër edhe dy këshilltarë. Domethënë për këto pozita unë kam votuar për çdo gjë”.