Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar opinionin publik se ka autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtave të votimit.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet lidhen me dyshime për shkelje të parapara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), të cilat kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.
Gazeta Stop mëson se gjatë këtij procesi janë evidentuar dyshime për parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin.
Hetimet janë në fazë fillestare, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se opinioni publik do të njoftohet për zhvillimet e mëtejme.