Edhe katër persona me koronavirus në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se bazuar në rezultatet e testimeve janë konfirmuar edhe katër raste të reja me koronavirus në Kosovë, duke e çuar numrin në total në 13.

Bëhet fjalë për familjarë të ngushtë të pacientit nga Stublla e Vitisë që ishte diagnostikuar me këtë virus më 13 mars.

“E gjithë familja kanë qenë në vetizolim dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë testimin edhe të familjarëve të tjerë”, ka shkruar Vitia në një postim në profilin e tij, në rrjetin social Facebook.

Ai ka kërkuar vetëdije e ndihmë të qytetarëve pas këtyre rasteve.

“Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, ka shtuar ai.

Postimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia

Të dielën, Qeveria e Kosovës ka shpallur emergjencë shëndetësore.