Ekspertët: Projektligji për Paga mund të përfundojë në Kushtetuese

Që nga e enjtja, për tri javë të tëra, dy projektligje, ai për pagat në sektorin publik si dhe ai për zyrtarët publik, janë në platformën e konsultimeve publike.

Secili qytetar do ta ketë mundësinë të adresojë komentet apo sugjerimet lidhur me këto projektligje.

Por, ndryshe nga projektligji i parë që parashihet të hyjë në fuqi 8 muaj pas daljes në Gazetën Zyrtare, i dyti, ai për zyrtarët publik do të fuqizohet vetëm 15 ditë pasi të publikohet në këtë gazetë.

Pikërisht ky është edhe një nga komentet që Asociacioni Komunave të Kosovës që ka deponuar për këtë projektligj, derisa ditë më parë drejtori ekzekutiv i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi, tha se kanë kërkuar që kjo klauzolë të hiqet krejtësisht.

Këtë fakt e kanë kritikuar edhe njohësit e ekonomisë që thonë se nëse fuqizimi i tij parashihet të ndodhë 8 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare, nënkupton që do të nisë së zbatuari në fundin e vitit 2023 apo fillimin e vitit 2024.

Megjithatë, sipas njohësve të kësaj fushe nuk është vetëm kjo çështja që ngjall reagimin e tyre.

Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë ka thënë për RTK-në se Projektligji për Paga duhet të analizohet në disa dimensione, meqë sipas tij erdhi në një kohë kur mungon dialogu shoqëror.

“I pari dimension është që ky ligj po vjen në kohën kur kemi një dallim dhe pakënaqësi enorme mes sindikatave dhe qeverisë, mungon një dialog i mirëfilltë publiko- privat dhe nëse kemi këtë acarim të situatës sa i përket dialogut mes aspektit publik, atij privat dhe sindikal është e pamundur që ky ligj t’i jep rezultatet e pritura”.

Ai thotë se ky projektligj është tentativë për të blerë në kohë. Madje ai ka shfaqur frikën se i njëjti mund ta ketë fatin e Ligjit të kaluar i cili përfundoi në kushtetuese.

“Ky ligji duhet të jetë gjithëpërfshirës, por mbi të gjitha duhet të ketë transparencë. Sa do të jetë koeficienti, sa do të jetë koha e koeficientit sa do të jetë mundësia e ndryshimit. Me vetë faktin se parashihet që ky ligj të hyjë në fuqi 8 muaj pas daljes në gazetën zyrtare do të thotë fillimi do të jetë diku në vitin 2024 dhe nuk ka një kronologji të aktiviteteve apo plan se si do të tejkalohet kjo situatë deri në vitin 2024. Është një ligj i bartur nga shtetet e Ballkanit Perëndimor e kam frikë që së shpejti do të mungojë edhe debati. Nëse mungon debati do të fitohet në kohë e edhe nëse do të ketë miratim të këtij ligji do të përfundojë me fatin e ligjit paraprak në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Gërxhaliu.

Rreziku se ky dokument mund të përfundojë në kushtetuese është përmendur edhe nga Lavdim Hamidi, njohës i çështjeve të ekonomisë.

Ai thotë se ky projektligj ka vonesë prej 6 muajsh, pasi sipas tij, Qeveria kishte premtuar se do ta procedonte në Kuvend në fund të marsit, e këto vonesa thotë ai, sollën në situatën aktuale.

“Vonesat në procedimin e këtij projektligji kanë paralizuar Administratën Shtetërore të Kosovës, e cila është në grevë duke kërkuar rritje të pagave. Nëse shkon gjithçka sipas planit, nuk besoj se pagat në sektorin publik do të merren me rritje para marsit 2023, ndërsa nëse do të ketë vonesa gjatë rrugës është shumë e mundur që një gjë e tillë nuk do të ndodhë para shtatorit 2023, përkatësisht një vit nga tash”.

Ai thotë se me këtë projektligj për shumë kategori parashihet rritje e pagave, por pakënaqësitë nga disa kategori janë evidente.

“Edhe këtë herë ka pakënaqësi nga infermierët dhe nga Policia e Kosovës dhe disa kategori tjera. Të njëjtit kërkojnë paga më të larta se sa që parashihen me Projektligjin aktual. Nuk e di nëse gjatë periudhës së diskutimit publik do të arrihet amortizimi i këtyre pakënaqësive, kur kemi parasysh moskomunikimin e Qeverisë me SBASHK-un dhe BSPK-në”, tha ai.

Ditë më parë ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla në një konferencë për media tha se për herë të parë ka një projektligj që rregullon sistemin e pagave në sektorin publik.

Siç tha ai, ekzekutivi e MPB-ja bashkë me të gjitha institucionet relevante janë angazhuar me synime të qarta, drejtësi e barazi dhe llogaridhënie e transparencë.

“Një ligj nuk procedohet për egot apo dëshirat e dikujt apo të ngjashme, por për ngritje dhe përmirësim të sistemit, për mirëqenie të qytetarëve e në këtë rast, për vlerësim punës së zyrtarëve publik të cilët çdo ditë të punës së tyre duhet të përmbushin shërbimin ndaj shtetit dhe qytetarëve”, kishte thënë Sveçla.