Enigma e UEFA-s: Tri opsione se kur duhet të zhvillohet Euro 2020

Koronavirusi ka paralizuar një pjesë të madhe të planetit dhe të gjitha ngjarjet sportive janë penalizuar, nga tenisi te garat me biçikleta, deri te golfi e basketbolli.

Në këto ditë, askush nuk është i sigurt nga pandemia, gjersa UEFA do të mbajë një takim sot me të gjitha kombëtaret nëse Kampionati Evropian do të zhvillohet në këtë vit apo do të shtyhet.

Shtëpia më e madhe e futbollit evropian nuk dëshiron të rrezikojë me mbajtjen e evenimentit në qershor të këtij vitit, derisa paralajmërohet se ajo mund të zhvillohet në verën tjetër.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin nuk dëshiron që Euro 2020 të fillojë më 12 qershor dhe të përfundojë më 12 korrik, derisa opsioni tjetër në tavolinë është që të mbahet edhe në dhjetor.

Në rast se zhvillohet në fund të këtij viti, ligat evropiane do të kishin shansin që të mbyllnin këtë edicion dhe më pas përfaqësueset të fokusoheshin në Kampionatin Evropian.

Bëhet e ditur se anëtarë brenda UEFA-s janë të vendosur që gara të shtyhet për vitin tjetër, në mënyre që mos të rrezikohet shëndeti publik nga koronavirusi. /Telegrafi/