Ermal Sadiku i bashkohet LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka njoftuar sot se Ermal Sadiku, një nga emrat më të njohur të inxhinierisë, inovacionit dhe sipërmarrjes teknologjike në vend, i është bashkuar partisë. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, duke e vlerësuar Sadikun si një aset të rëndësishëm për vizionin dhe programin e partisë.

I lindur dhe rritur në Prishtinë, Sadiku është dalluar herët për talentin e tij akademik, ndërsa studimet e avancuara në Gjermani i kanë dhënë një perspektivë të gjerë ndërkombëtare mbi industrinë e teknologjisë dhe standardet moderne të inovacionit. Pas kthimit në Kosovë, ai u bë një ndër figurat kryesore të transformimit digjital në vend.

Si themelues i disa kompanive të suksesshme në sektorin ICT, Sadiku ka kontribuar në rritjen e industrisë vendore, duke krijuar vende pune me standarde evropiane dhe duke dëshmuar se Kosova mund të prodhojë inovacione konkurruese në tregun global. Ai ka qenë ligjërues universitar dhe kryetar i Bordit të STIKK, ku ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e politikave që kanë formësuar ekosistemin e teknologjisë në vend.

Abdixhiku u shpreh se aderimi i Sadikut përbën një forcim të rëndësishëm për LDK-në, duke theksuar profesionalizmin, integritetin dhe përvojën që ai sjell. “Ai vjen si një adresë e tashme politike dhe si e ardhme e sektorit më me potencial në Kosovë,” shkroi kreu i LDK-së, duke shtuar se aderime të tilla dëshmojnë besimin në potencialin e të rinjve dhe në vizionin për një Kosovë më novative.

Ai ka bërë thirrje për bashkim të të gjithë atyre që besojnë se vendi meriton më shumë, duke rikujtuar se dyert e LDK-së mbeten të hapura për çdo person që dëshiron të kontribuojë në ndryshimin pozitiv.