“Është çështje orësh” – Kurti flet për çështjen e presidentit para mbledhjes së VV-së në Kuvend

Kryeministri Albin Kurti ka arritur në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku do të zhvillohet mbledhja e Grupit Parlamentar të VV-së.

Kjo mbledhje vjen në kohën kur çështja e zgjedhjes së presidentit të ri ka hyrë në orët vendimtare.

I pyetur nga gazetarët, Kurti tha se “jam kureshtar edhe unë aq sa ju”.

“Po shkoj në mbledhjen e grupit parlamentar, besoni që kapak edhe unë jam kureshtar aq sa ju. Është çështje orësh ku do ti mësojmë që të gjitha të gjithë bashkë”, tha Kurti shkurt.

Ndryshe kujtojmë se pesë takimet që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka mbajtur me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk e kanë përcaktuar rrugën e ardhshme në skenën politike: zgjedhjen e presidentit apo dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi.