Evropa është gati për festë futbolli

Nis në Romë e përfundon në Londër. Nis me një ndeshje që garanton luftë në fushë e që ofron edhe përkrahje nga tribunat. Ndërkohë do të përfundojë me finalen e madhe që më 11 korrik do të luhet në “Wembley” të Londrës.

Evropa është gati për “Euro 2020”, ngjarjen që zhvillohet me një vit vonesë, por që megjithatë pritet të jetë festë futbolli. Kthimi i konsiderueshëm i shikuesve në tribuna garanton këtë. Është zhvilluar betejë e madhe për të mundësuar që tifozët të jenë në stadiume. Kjo është bërë e mundur, ndonëse në numër të kufizuar, dhe kështu Evropiani i futbollit është dukshëm më i kompletuar.

Që nga ndeshja mes Turqisë e Italisë e deri te finalja, futbolli cilësor nuk do të mungojë. Do ketë risi, si në çdo garë të madhe. Do të dalin emra të rinj, yje të rinj. Do të konfirmohen lojtarë e do të vendosen rekorde. Lojtarët që janë pjesë e ngjarjes, më të mirët e kontinentit, garantojnë futboll të nivelit më të lartë.

Duket e përshtatshme që ndeshja e parë e Evropianit të 16-të të luhet në Itali. Është vendi i parë në Evropë që u godit rëndë nga koronavirusi. Dhe ka kuptim që Evropiani i shtyrë pikërisht për shkak të koronavirusit të nisë në kryeqendrën italiane.
Italia që në ndeshjen hapëse synon të dëshmojë forcën. Turqia synon befasinë në nismë.

“Kemi pritur një vit për këtë Evropian dhe mezi pres të dëgjoj 15 mijë njerëz duke kënduar himnin kombëtar”, ka thënë mbrojtësi i Italisë, Leonardo Bonucci. “Futbolli me tifozë brenda stadiumit është sport tjetër”, ka vazhduar ai.

Kthimi i tifozëve në stadiume vlerësohet fitorja më e madhe e “Euro 2020” dhe e UEFA-s si organizatore e tij.

Evropiani i këtij viti dallon goxha shumë prej ngjarjeve të kaluara. Që në vitin 2012 ishte vendosur që ngjarja të organizohej në shumë qytete, për të festuar 60-vjetorin e kampionatit kontinental. Në fund u vendos për 11 qytete. Vjet ishte e pamundur të organizohej ngjarja, ndërsa UEFA nuk e kishte opsion anulimin e ngjarjes, që do të ishte goditje e jashtëzakonshme financiare.

UEFA vendosi të shkonte para me planin për ta mbajtur Evropianin në shumë vende dhe në fund u vendos për 11 qytete. Emri u mbajt, “Euro 2020”, për shkak të përgatitjeve që ishin bërë me këtë emër.

Ndonëse në kohë të vështirë, emocionet e ngjarjes tashmë kanë kapluar Evropën. Për një muaj rresht futbolli do të jetë tema kryesore.

Sfidat nuk mungojnë. Vetë organizimi i ngjarjes në 11 qytete të ndryshme, në 11 shtete nikoqire, e bën Evropianin të veçantë. Masat në luftë ndaj koronavirusit, kufizimet në udhëtim janë kokëçarje të tjera për përgjegjësit në UEFA. Rastet me koronavirus në ditët e fundit në disa përfaqësuese kanë nxitur reagimin e organizatorëve.

Por UEFA është gati. Përfaqësueset janë gati dhe pasi të nisin ndeshjet shumë prej sfidave do të mbesin në plan të dytë. Raste të tjera me koronavirus pritet të ketë. Lojtarë të ndryshëm do të mbesin jashtë ndeshjeve e emra të rinj do të fitojnë rastin. Por miliona tifozë të futbollit në Evropë e në botë do të kenë rastin për të parë ndeshje cilësore dhe të pëlqyerit e tyre në arena. Një pjesë e tifozëve do të jetë edhe në stadiume.

Evropa është gati për festë futbolli. “Euro 2020” po fillon.