FC Prishtina humb me rezultat zyrtar ndeshjen me Lincolnin

Klubi i Futbollit “FC Prishtina” e ka humbur me rezultat zyrtar, 3:0, ndeshjen ndaj skuadrës nga Gjibraltari, Lincoln. Kjo ndeshje ishte anuluar dy herë për shkak të rasteve pozitive me COVID-19 te skuadra prishtinase.

Prishtina dy herë udhëtoi për në Gjibraltar, por pa ia dalë të luajë ndeshjen. Ndeshja ishte e vlefshme për raundin parakualifikues të Ligës së Evropës.

Prishtina të hënën pasdite pranoi vendimin e UEFA-s dhe për këtë njoftoi përmes faqes zyrtare. Në rastin e parë te Prishtina ishin tetë raste me COVID-19, pas testimit të bërë në Gjibraltar. Skuadra u kthye në Kosovë pa luajtur ndeshje. U formua shpejtë një skuadër tjetër, me lojtarë të huazuar nga klubet tjera të Superligës. Prapë tetë lojtarë dolën me koronavirus dhe ndeshja nuk u luajt. Ka pasur shumë zhvillime, kryesisht larg opinionit, për këto dy udhëtime. Dhe ashtu si pritej Prishtina u eliminua me vendim zyrtar të UEFA-s.