Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka mbajtur sot mbledhjen e parë të qeverisjes komunale në mandatin e tij të dytë, ku ka prezantuar përbërjen e re të kabinetit qeverisës. Idrizi ka theksuar se bëhet fjalë për një ekip profesional dhe të përkushtuar, i cili do të udhëheqë komunën me përgjegjësi, transparencë dhe vizion të qartë, në funksion të realizimit të projekteve dhe premtimeve ndaj qytetarëve. Sipas tij, mandati i ri përfaqëson vazhdimësi të punëve të mira dhe projekteve të mëdha të nisura në katër vitet e kaluara.

Në këtë mandat, Ferit Idrizi do të bashkëpunojë me një ekip drejtuesish të përzgjedhur me kujdes, të cilët do të mbulojnë sektorë kyç të qeverisjes lokale. Shpëtim Zhegrova është emëruar Nënkryetar i Komunës, ndërsa Bujar Shatrolli do të ushtrojë detyrën e Shefit të Kabinetit të Kryetarit. Drejtoria e Administratës do të udhëhiqet nga Hyrie Uka-Hoxha, Arsimi nga Naile Bekteshi, Kultura, Rinia dhe Sporti nga Medina Bunjaku, Urbanizmi dhe Mbrojtja e Mjedisit nga Drilon Jusufi, Inspektimet nga Remzi Ahmeti, Shëndetësia dhe Përkujdesja Sociale nga Lorik Maxhuni, Prokurimi nga Ilmi Azemi, Buxheti, Financat dhe Thesari nga Isuf Jashari, Shërbimet Publike nga Benjamin Shala, Zhvillimi Ekonomik dhe Investimet Kapitale nga Maliq Ferizi, Diaspora nga Agron Përçuku, Mbrojtja dhe Shpëtimi nga Isa Hajrizi, Gjeodezia, Kadastra dhe Prona nga Bedri Dobra, si dhe Bujqësia dhe Zhvillimi Rural nga Besim Shyti.
Kryetari Idrizi ka shprehur bindjen se ky kabinet do të punojë me përkushtim maksimal për t’i shërbyer qytetarëve të Vushtrrisë dhe e ka përmbyllur prezantimin me mesazhin: “Na priftë e mbara!”.