Sunny Hill Festival

FFK-ja konfirmon mungesën e Amir Rrahmanit ndaj Suedisë

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) përmes një njoftimi zyrtar sot (e diel) ka konfirmuar se kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, nuk do të luajë në ndeshjen e radhës kundër Suedisë. 

‘Dardanët’ do të jenë nikoqir të Suedisë të hënën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. 

Rrahmani u lëndua në humbjen 4-0 ndaj Zvicrës të premten, me ç’rast u detyrua të largohet nga fusha para kohës. 

Ai tashmë pritet që të rikthehet në Itali për të vazhduar më tutje me procesin e rikuperimit. 

Njoftimi i plotë nga FFK-ja: 

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e radhës kundër Suedisë, e cila zhvillohet, të hënën, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026. 

Përkundër dëshirës së madhe për të qenë në fushë, pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore është konstatuar se Rrahmani e ka të pamundur të paraqitet në këtë ndeshje për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen e së premtes kundër Zvicrës në Bazel. 

Si rrjedhojë, kapiteni është liruar nga grumbullimi me ekipin kombëtar për t’u kthyer në klubin e tij, ku do të vazhdojë trajtimin mjekësor me qëllim që të rikuperohet sa më shpejt dhe të rikthehet në fushë, për të qenë gati më pas edhe për ndeshjet e muajit tetor me fanellën dardane kundër Sllovenisë dhe Suedisë.