Sunny Hill Festival

Foda optimist, me gjithë mungesat e rëndësishme

Përzgjedhësi Franco Foda ka besim në ekipin që ka në dispozicion dhe është optimist në prag të fillimit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Kosova të premten luan me Zvicrën në Basel, ndërsa Foda të hënën doli në konferencë për shtyp.

Po të hënën u bë e ditur se Edon Zhegrova nuk do të grumbullohet për ndeshjet me Zvicrën dhe Suedinë, që është të hënën e javës së ardhshme. Zhegrova është transferuar nga Lille te Juventusi dhe Foda nuk llogarit në të. Për shkak të lëndimit mungon Florent Hadërgjonaj, ndërsa Milot Rashica është mungesë tjetër e rëndësishme. Nuk është grumbulluar as Emir Sahiti i Hamburgut.

Në vend të Hadërgjonajt është ftuar Ron Raçi i Hajdukut të Splitit.

“Edon Zhegrova nuk do të jetë pjesë e këtij kampi. Selektori e ka përfshirë fillimisht në listë, por ka vendosur që të shohë deri në ndeshjet e vikendit të fundit për të parë se a do të jetë ai pjesë e ndeshjes. Më pas ka vendosur që ta lirojë për obligimet e tij për ndërrimin e klubit dhe detajet e tjera me të cilat Edoni po merret”, ka njoftuar fillimisht menaxheri i përfaqësueses, Bajram Shala.

Foda ka thënë se Zhegrova është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Ka përmendur faktin që sulmuesi i krahut nuk ka luajtur nga dhjetori i vitit të kaluar.

“Kur e kemi parë që është ftuar në ekip, i kemi bërë ftesë. Kemi pasur disa telefonata, së fundi mbrëmë. E kam pyetur rreth angazhimit të tij. Ai e ka ndërruar ekipin, ka kaluar te Juventusi dhe e kemi parë të arsyeshme që të mos angazhohet”, ka thënë Foda në konferencë për shtyp.

Tekniku gjerman ka theksuar se mungesat e Rashicës dhe Zhegrovës janë të rëndësishme.

“Jemi në kërkim të zgjedhjeve të reja dhe në të kaluarën kemi treguar se jemi të aftë për të përballuar të gjitha mungesat. E kemi treguar këtë kundër Islandës, Komoreve dhe Armenisë. I kemi përballuar mirë dhe kemi vazhduar të ecim para. Jemi zhvilluar shumë mirë tutje. Kemi krijuar ekip shumë të mirë. Dhe jemi shumë optimistë se në ndeshjet e radhës edhe me mungesa të tilla do t’ia dalim. Jemi shumë optimistë se do të kemi rezultate të mira”, ka thënë Foda.   

Selektori Foda ka thënë se ka biseduar me Emir Sahitin dhe Bersant Celinën, ndërsa informata për mungesën e tyre ka theksuar se nuk është për t’u ndarë me publik. Ka premtuar se do të flasë me ta edhe në të ardhmen.

Foda ka folur me optimizëm për ndeshjen me Zvicrën. Ka thënë se i njohin pikat e forta dhe të dobëta të helvetikëve.

Zvicra e Kosova janë përballur tri herë deri më tani. Të tri ndeshjet përfunduan baras.

“Se a do të fitojmë apo jo do të shihet të premten. Nuk jam parashikues. Por kemi bërë një ekip të mirë, kemi besim, kemi treguar kualitet në ndeshjet e kaluara. E njohim mirë Zvicrën, i njohim mirë pikat e forta dhe të dobëta të saj. Vendimtare do të jetë se si paraqitemi ne. Nëse paraqitemi si ekip, të bashkuar, dhe nëse i zbatojmë të gjitha detyrat në fushë mund të arrijmë fitore apo të paktën barazim”.

Foda e di se Kosova nuk është favorite e grupit, ku bën pjesë edhe Sllovenia.

“Kemi një grup jo të lehtë. Dy ndeshjet e radhës i luajmë me Zvicrën e Suedinë. Edhe Sllovenia nuk është për t’u nënçmuar, luan rregullisht në kampionate. Kemi një ekip shumë të mirë, kemi kualitete, kemi mundësi. Dihet që vendi i parë në grup kualifikohet direkt e i dyti në plejof. Ne jemi duke luajtur futboll, jetojmë për futboll. Jam shumë i bindur se kemi formuar ekip të mirë dhe këtë bindje do ta përcjell tek ekipi. Nuk jemi favoritë, por mund të jemi të rrezikshëm. Do të bëjmë gjithçka që të kualifikohemi. Këto dy ndeshje do të tregojnë çfarë drejtimi do të marrim në këtë cikël. Nuk do të jetë udhëtim i lehtë”, ka thënë Foda.

Leon Avdullahu e Veldin Hoxha janë emra të rinj te Kosova. Avdullahu luan në Bundesligë për Hoffenheimin, derisa Hoxha është në Rusi te Rubin Kazani.

Foda pret shumë nga Avdullahu.

“Për Leon Avdullahun jemi të gëzuar dhe shumë të kënaqur që ka vendosur për Kosovën. Ai ka kaluar te Hoffenheimi. Është integruar shumë shpejt dhe po tregohet i suksesshëm në Bundesligë. Kemi biseduar shumë në muajt e fundit. E kam parë që ka personalitet shumë të mirë. Është lojtar specifik, sidomos në mesfushë. Mund të luajë kudo që vendoset. Jemi të gëzuar që e kemi tani në ekip”, ka thënë selektori Foda.

Foda ka thënë se është ëndërr dhe qëllim kualifikimi në Botëror. Por kjo ka thënë se do të varet nga paraqitjet në fushë. Ka shtuar se vendosja në fushë do të varet nga angazhimi i lojtarëve në stërvitje.

Foda ka thënë se i gjithë fokusi është te ndeshja me Zvicrën e më pas do të nisin të mendojnë për Suedinë.