Forma trimëruese e lojtarëve të Kosovës

Futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës pas dy javësh do të grumbullohen për herë të parë këtë vit, saktësisht më datën 21 mars. Do t’i luajnë dy ndeshje miqësore. Më 24 mars do ta zhvillojnë miqësoren ndaj Burkina Fasos në Prishtinë, derisa pas pesë ditësh ndaj Zvicrës në Zuerich. Në këto dy ndeshje, Kosova do të futet me futbollistë që po kalojnë formë të mirë këtë fillimvit nëpër klubet e tyre përkatëse. Disa prej tyre kanë shfaqur formë të lartë në “top-5” ligat më të forta në Evropë.

Të dielën, Edon Zhegrova shënoi gol, Arbër Zeneli asistoi, ndërsa Vedat Muriqi nxori penallti. Për Zhegrovën ishte goli i parë i shënuar me fanellën e kampionit të Francës, Lillet derisa në Ligue 1 shkëlqeu edhe Zeneli. Për Zenelin ishte asistimi i dytë në po aq ndeshje të zhvilluara për Reimsin pas kthimit nga lëndimi i rëndë. Muriqi siguroi penallti për Mallorcan. Muriqi në La Liga të Spanjës prej se është transferuar nga Lazio, ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me një asistim në gjashtë ndeshje. Forma e Muriqit dhe e futbollistëve të tjerë të Kosovës i gëzon në kampin e “Dardanëve”. Drejtori Muharrem Sahiti ka thënë se forma e mirë e lojtarëve në klubet e tyre e bën më të fuqishme Përfaqësuesen.

“Minutazha e lojtarëve në klubet e tyre e bën më të fuqishme Përfaqësuesen. Ne jemi shumë të kënaqur me formën e tyre. Prej disa lojtarëve presim edhe më shumë, por e rëndësishme është që kanë minutazhë dhe paraqitje të mirë. Po tregohen të suksesshëm në klubet e tyre dhe uroj të vazhdojnë kështu. Jemi në prag të dy ndeshjeve me dy përfaqësuese të forta. Më 21 mars e kemi ditën e parë të grumbullimit dhe përzgjedhësi i ri tashmë ka përcjellë lojtarët në klubet e tyre, ndërsa pasi firmosi kontratë ka shtuar ritmin e përcjelljes së lojtarëve. Uroj që të vazhdojnë edhe këto dy javët e fundit para se të kemi grumbullimin”, ka thënë Sahiti.

Formë të lartë është duke shfaqur edhe portieri Arijanet Muriq. Muriq është titullar i padiskutueshëm te ekipi Adana Demirspor, ndërsa kapiteni Amir Rrahmani luan rregullisht te Napoli, që është në garë për titullin e kampionit në Serie A. Në mbrojtje formë të lartë po shfaqin edhe Betim Fazliji, Fidan Aliti, Mirlind Kryeziu, Mërgim Vojvoda dhe Leart Paqarada. Aliti dhe Kryeziu luajnë përkrah njëri-tjetrit te Zuerichu, që është lider në Zvicër. Vojvoda te Torino në Serie A ka nisur të luajë në krahun e majtë, ndërsa është vlerësuar lart në Itali për paraqitjet që i ka treguar në këtë pozitë. Ndër lojtarët kryesorë te Kosova janë edhe Milot Rashica, Vedat Muriqi, Arbër Zeneli, Edon Zhegrova e Valon Berisha.

Ky i fundit pritet në fundjavën e ardhshme të luajë pas lëndimit, ndërsa paraqitje të mira po tregojnë Rashica në Premier Leaguen e Anglisë me Norëich Cityn, Vedat Muriqi me Mallorcan dhe Arbër Zeneli e Edon Zhegrova në Francë, përkatësisht Reimsin dhe Lillen. Te Remsi është edhe Valon Berisha. Paraqitje të rregullta kanë edhe Zymer Bytyqi që në gjashtë ndeshjet e fundit për Konyasporin ka asistuar dy herë dhe ka shënuar dy gola. Në total, Bytyqi ka pesë asistime e tri gola këtë sezon. Po luajnë edhe Blendi Idrizi, Bersant Celina, Lirim Kastrati, Florian Loshaj, Astrit Selmani dhe të tjerët. Të kënaqur me formën e tyre janë shprehur edhe disa futbollistë. Edon Zhegrova, Elbasan Rashani dhe Arbër Zeneli së fundmi kanë thënë për KOHËN se janë të kënaqur me formën që po kalojnë në klubet e tyre.

“Pres që këtë formë ta shfaqi edhe te Kosova”, ka thënë, ndër të tjera, ditë më parë sulmuesi i krahut, Arbër Zeneli.

Sahiti thotë se përzgjedhësi i ri, francezi Alain Giresse, do ta ketë një përbërje me lojtarë që janë në formë për ndeshjet e këtij muaji. Por ai pret që lojtarët e tjerë që në të kaluarën kanë bartur barrën kryesore te Kosova, të bëhen me klube. Për shembull, Hekuran Kryeziu dhe Besar Halimi. Ky i fundit është larguar ditë më parë nga Riga, ndërsa Kryeziu që një kohë të gjatë është pa klub.

“Fatkeqësisht Hekurani ka mbetur pa skuadër, ndërsa tash kemi situatë të ngjashme edhe me Besarin. Kur nuk ke klub është vështirë të ftohesh, por mbetet të vendosë përzgjedhësi”, ka theksuar Sahiti.

Sahiti pret që në të ardhmen do të ketë edhe ardhje të reja te Kosova.

“Disa kanë hezituar të dalin dhe të deklarohen, por kemi pasur kontakte. Kryetari ka pasur disa kontakte, por i është kërkuar nga lojtarët të mos u publikohet emri i tyre. Uroj të marrim përgjigje pozitive, sepse ua kemi treguar projektin. Mendoj se ka ardhur koha të kemi përgjigje nga të gjithë, po apo jo”, ka thënë Sahiti.