Sunny Hill Festival

Franca ndalon shitjen e iPhone 12

Agjencia franceze që rregullon frekuencat e radios, ANFR, ka thënë se urdhëroi Applein të heqë iPhone 12 nga tregu francez nga 12 shtatori për shkak se modeli tejkalon kufirin “për thithjen elektromagnetike nga trupi”, shkruan Reuters.

Sipas ANFR-së, testimi zbuloi se iPhone 12 lëshon më shumë valë elektromagnetike të ndjeshme për t’u absorbuar nga trupi sesa lejohet.

Siç thotë Agjencia, laboratorët kishin gjetur se thithja e energjisë elektromagnetike nga trupi shkon në 5.74 vat për kilogram kur telefoni mbahej në dorë ose mbahej në xhep.

Standardi evropian prej 4.0 vat për kilogram në teste të tilla është normë specifike.

“Lidhur me telefonat e shitur tashmë, Apple duhet të marrë masa korrigjuese sa më shpejt që është e mundur. Përndryshe, Apple do të duhet t’i tërheqë”, thuhet në reagimin e ANFR-së.

ANFR ka thënë se agjentët e saj do të verifikonin nga e mërkura se modelet e iPhone 12 nuk do të ofroheshin më për shitje në Francë.

Rregullatorët në një numër vendesh kanë kufizime në sasinë e rrezatimit elektromagnetik që telefonat mund të lëshojnë për të parandaluar efektet e dëmshme shëndetësore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se pas një numri të madh studimesh “nuk është vërtetuar asnjë efekt negativ shëndetësor si i shkaktuar nga përdorimi i telefonit”.