Frutat që e reduktojnë inflamacionin dhe ngadalësojnë plakjen

Shumë nga sëmundjet më të zakonshme që ekzistojnë sot, diabeti, sëmundjet e zemrës, kanceri, Alzheimeri dhe artriti, të gjitha janë të lidhura me inflamacionin kronik. Lajmi i mirë është se ka shumë mënyra për ta luftuar inflamacionin dhe plakjen e ngadaltë. Një nga zgjidhjet më të thjeshta dhe të zakonshme janë frutat dhe perimet, raporton portali “Eat This, Not That”. Por sigurisht, disa janë më të dobishme se të tjerat.

Sipas dietologëve, fuqia e frutave qëndron në antioksidantët e tyre, më saktësisht molekulat që neutralizojnë radikalet e lira të dëmshme në trupin tuaj. Por meqenëse jo të gjitha frutat kanë të njëjtin lloj antioksidantësh, është e rëndësishme të keni një larmi të tyre në dietën tuaj të përditshme.

Pra, cilat fruta e ndihmojnë reduktimin e inflamacionit dhe ngadalësimin e plakjes?

Boronica

Hulumtimet kanë treguar se boronicat kanë nivelin më të lartë të antioksidantëve në mesin e të gjitha frutave dhe perimeve të njohura. Kjo e shpjegon pse një studim i vitit 2019 i publikuar në gazetën “Nutrients”, zbuloi se boronica redukton dhimbjen dhe ngurtësimin e gjunjëve tek njerëzit me artrit, problem ky shëndetësor i shkaktuar nga inflamacioni i kyçeve. Një filxhan me boronica siguron 487 miligramë antocianine. Antocianinet mund të ndihmojnë në reduktimin e stresit oksidativ dhe inflamacionit, që shkakton plakjen e parakohshme, reduktimin e funksionit të trurit, sëmundjet e zemrës dhe kancerin. Në mënyrë të veçantë, ato kanë një efekt të ngjashëm me probiotikët në zorrë, që mund të ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit dhe parandalimin e kancerit të zorrës së trashë. Antocianinet gjithashtu mund ta ndihmojnë trupin të bëhet më i ndjeshëm ndaj insulinës dhe ta përdorë glukozën në mënyrë më efektive, çka edhe ndihmon në parandalimin e diabetit.

Dredhëza

Dredhëzat janë një burim i pasur i vitaminës C. Por kjo nuk është e tëra. Dredhëzat po ashtu përmbajnë sasi të larta të fibrave dhe kaliumit, të cilat e promovojnë shëndetin e zemrës dhe zorrëve. Ato mund ta rrisin funksionin imunitar dhe kolesterinën e mirë në gjak.

Shega

Cilësitë antioksidante të lëngut të shegës janë zakonisht më të larta se ato të verës së kuqe dhe çajit jeshil. Kjo frutë përmban përbërës të veçantë që mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Një studim i vitit 2017 sugjeroi se shega mund të ketë veti antikancerogjene. Ndërkohë, një studim tjetër zbuloi se lëngu i shegës mund të ketë potencial terapeutik për trajtimin e një sërë sëmundjesh kronike inflamatore, si sëmundja inflamatore e zorrëve, artriti reumatoid dhe çrregullimet metabolike dhe kardiovaskulare.

Qershia

Qershitë përmbajnë disa polifenole që mund të ndihmojnë në luftimin e inflamacionit, duke përfshirë kuercetinën, cianidinën dhe melatoninën. Për shkak se inflamacioni mund të kontribuojë në sëmundje kronike, të tilla si presioni i lartë i gjakut dhe rezistenca ndaj insulinës, konsumimi i qershive ose koncentratit të lëngut të qershisë mund të ndihmojë në uljen e rrezikut. Në fakt, një studim i vitit 2021 tregoi prova që mbështesin lidhjen midis konsumimit të qershisë dhe rrezikut të reduktuar të sëmundjeve inflamatore.

Mjedra

Mjedrat jo vetëm që përmbajnë sasi të ulëta të sheqerit dhe janë të pasura me fibra, por ato janë gjithashtu një burim tjetër i shkëlqyer i antioksidantëve, si vitamina C, kuercetina dhe acidi elagjik. Mjedrat po ashtu e kanë një mineral të quajtur mangan, i cili mund të ndihmojë në rregullimin e sheqerit në gjak dhe e promovon lëkurën dhe kockat e shëndetshme. Plus, janë gjithashtu një burim i mirë i kaliumit, i cili është i mirë për shëndetin e zemrës dhe uljen e presionit të gjakut.