Gashi: Grupit Parlamentar përkrah mocionin, Osmani dhe dy deputetë me mendime ndryshe

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi në një prononcim për media ka thënë se janë pajtuar me kërkesën e kryesisë për mocionin e mosbesimit.

Ai ka konfirmuar se kryeparlamentarja Vjosa Osmani, dhe dy deputetë të LDK-së mendojnë ndryshe për këtë dhe kanë rezervat e tyre, transmeton KOHA.

“Kemi shqyrtuar kërkesën e kryesisë së LDK-së për mocionin. GP përkrah propozimin dhe fillon procedurat për një gjë të tillë. Lumir Abdixhiku nuk është anëtar i Grupit Parlamentar, dhe nuk ishte pjesë e takimit. Osmani ka pasur mendim të ndryshëm, së bashku me dy deputetë të tjerë që kanë rezervat e tyre. Është e rëndësishme që të krijojmë një frymë të unike dhe një sinergji të veprimeve”, ka thënë Gashi.

Tutje Gashi ka thënë se Kurti qëllimshëm ka dhënë dorëheqje qëllimshëm, përmes shkarkimit të Veliut, për të ikur nga përgjegjësitë udhëheqëse të qeverisjes.

“Duke marrë parasysh që ne vlerësojmë barasvlershëm e rëndësishëm ministrin e Punëve të Brendshme me ministrin e Shëndetësisë në çështjen e virusit korona vlerësojmë se kryeministri Kurti qëllimshëm nëpërmjet shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme ka dhënë dorëheqje. Konsiderojmë se është veprim i qëllimshëm i largimit nga përgjegjësitë udhëheqëse të qeverisë së Kosovës sepse z. Kurti e ka pas për detyrë ligjore dhe kushtetuese që të garantojë institucione të qëndrueshme dhe stabile këto ditë. Z. Kurti në mënyrë të njëanshme nëpërmjet vendimit që e ka marrë ka rreziku një pjesë të rëndësishme të funksionimit të institucioneve”, u shpreh Gashi.