Gastronomët paralajmërojnë protesta nëse vendimi për masat antiCOVID ndryshon pas 14 shkurtit

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës përmes një reagimi ka thënë se janë të revoltuar, ndërkaq thonë se do të protestojnë nëse pas zgjedhjeve parlamentare shtrëngohen masat antiCOVID.

Në një njoftim në Facebook, gastronomët kanë thënë se është bërë padrejtësi ndaj tyre, pasi po shkelen masat antiCOVID duke organizuar tubime politike.

“Me rastin e shkeljes së masave Anti-Covid për arsye të organizimit të tubimeve politike, dhe shfrytëzimit të hapësirave tona për qëllime të fushatave zgjedhore nga çdo parti politike, është bërë padrejtësi e madhe dhe trajtim i pabarabartë në raport me ne, ekonominë, dhe rreth 100 mijë qytetarë që rrezikojnë të mbesin të papunë në çdo industri! Në rast se vendimi i sotëm ndryshon pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ju njoftojmë se do të ketë organizim të protestave nga gastronomët”, thuhet në reagim.

Postimi i plotë:

Të dashur Gastronomë,

Ju njoftojmë se që nga sot, bizneset e gastronomisë në tërë territorin e Kosovës mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre deri në ora 22:00. Poashtu, nuk do të ketë kufizim të lëvizjes së personave fizik në të gjitha komunat.

Ky është një lajm i mirë për zonat e ranguara me rrezik të lartë të përhapjes së virusit, përkatësisht Komunën e Prishtinës dhe Fushë Kosovës. Një lajm i mirë edhe për Kosovën, ku dijmë që roli ekonomik që ka kryeqyteti edhe për komunat tjera është shumë i rëndësishëm, ku 50-60% e tërë aktivitetit ushtrohet në të.

Sqarim: GASTRONOMËT JANË TË REVOLTUAR!

Me rastin e shkeljes së masave Anti-Covid për arsye të organizimit të tubimeve politike, dhe shfrytëzimit të hapësirave tona për qëllime të fushatave zgjedhore nga çdo parti politike, është bërë padrejtësi e madhe dhe trajtim i pabarabartë në raport me ne, ekonominë, dhe rreth 100 mijë qytetarë që rrezikojnë të mbesin të papunë në çdo industri!

Në rast se vendimi i sotëm ndryshon pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ju njoftojmë se do të ketë organizim të protestave nga gastronomët.