Gjilani vendoset në karantinë para duelit me Apoel Nicosian

Nënkampioni i  Kosovës në futboll SC Gjilani është vendosur në karantinë pas rikthimit nga San Marino, aty ku zhvilloi ndeshjen e parë në histori të klubit në garat evropiane të futbollit, ndaj Tre Penne, të cilin e fitoi me rezultatin 3:1.

Lajmin për karantinimin e ekipit për klankosova.tv e ka konfirmuar edhe drejtori ekzekutiv i ekipit, Sevdail Robelli.

E gjitha kjo po bëhet pasi ‘Skifterat’ të enjten e ardhshme do të luajnë ndaj skuadrës së njohur nga Qipro, APOEL Nicosia.

“Aktualisht gjendja e të gjithë futbollistëve është e mire”.

“Ata janë vendosur në karantinë në njërin nga hotelet afër qytetit të Gjilanit, vend ky ku ishim edhe para udhëtimit në San Marino”.

“E gjitha kjo po bëhet për t’iu shmangur kontakteve me persona të tjerë dhe për të evidentuar mundësinë e infektimit me COVID-19 para duelit të mesjavës së ardhshme që e kemi ndaj APOEL Nicosias”.

Robelli, tutje ka sqaruar edhe situatën me futbollistin Shend Kelmendi i cili gjendet i karantinuar në shtetin e San Marinos, pasi kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 pas testimeve të bëra tre ditë më parë.

“Futbollisti në fjalë të hënën do të ritestohet. Ai tani është nënpërkujdesin e Ambasadës së Kosovës në Romë”.

“Ata po merren me të dhe pas testimit që pritet të bëhet do të organizohet kthimi i tij në Kosovë”, tha Robelli.