Sunny Hill Festival

Gjykata vendos në favor të Klan Kosovës

Gjykata Komerciale e ka aprovuar kërkesën e Klan Kosova për masën e sigurisë.

Në një aktvendim të nxjerrë sot, Gjykata Komerciale e ka aprovuar kërkesën e Klan Kosovës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve.

“APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve. II. SHTYHET ekzekutimi i Vendimit nr. 4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11 i datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhet në vendim.

Ekzekutimi i këtyre vendimeve shtyhet derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor.

Më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e hodhi poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit saj.

Pas kësaj, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, ARBK, ia anuloi certifikatën e biznesit Klan Kosovës, para se ta shfuqizonte vendimin më 21 qershor. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.

Ky vendim i ARBK-së riktheu në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat më 22 qershor.

Klan Kosova u ankua menjëherë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, i cili më 28 korrik vendoi t’ia hedhë poshtë ankesën dhe ta konfirmojë përfundimisht pezullimin e certifikatës së biznesit të saj, duke theksuar se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

MINT-i e akuzon televizionin se e “ka shkelur Kushtetutën e Kosovës” duke i “paraqitur dy qytete të Kosovës, Pejën dhe Gjakovën, si pjesë të Serbisë” në dokumentet e regjistrimit të kompanisë.

“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhej në njoftimin e MINT-it më 28 korrik.

Klan Kosova i ka mohuar akuzat dhe i ka quajtur gabim teknik lëshimet në dokumentet e regjistrimit.