Goli në minutat shtesë i jep fitoren Prishtinës

Muhamed Useini ka shënuar gol në minutën e tretë të kohës shtesë për Prishtinën dhe ia ka dhënë fitoren skuadrës mysafire.

Useini shënoi me kokë pas harkimit të Endrit Krasniqit.

Prishtina me golin e Useinit fitoi me rezultatin 2:1 në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.

Ishte ndeshja e parë e sezonit.

Golin e parë në edicionin e ri të Superligës së Kosovës në futboll e shënoi Endrit Krasniqi.

Mesfushori i Prishtinës në minutën e 27-të shënoi supergol nga gjuajtja e lirë.

Rezultati u barazua pesë minuta para fundit të pjesës së parë.

Sulmuesi i klinasve, Ahmed Januzi, shënoi me gju nga afërsia ndaj ish-skuadrës.

Por, Useini u shkëput më së larti për pikët e plota të Prishtinës. Është edhe fitorja e parë e trajnerit të ri Ismet Munishi, që debutoi me “bardhekaltrit”.

Në xhiron e dytë, Dukagjini udhëton te Drita, kurse Prishtina i shkon Ferizajt.