Sunny Hill Festival

Hamza mohon bisedat me Kurtin për koalicion: Po të kishte pasur, do ta thoja

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka folur lidhur me takimin e djeshëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në hapësirat e Komunës së Mitrovicës, ku Hamza udhëheq.

Hamza ka thënë që asnjëherë nuk ka vënë pengesa për takime e biseda me askënd, sepse, siç ka thënë ai, është i gatshëm gjithmonë.

“Dje jemi takuar me z. Kurti në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës… ku kemi biseduar për projektet që janë në interes të qytetit të Mitrovicës, edhe të Komunës së Mitrovicës së Jugut edhe të Mitrovicës së Veriut. Janë disa obligime ligjore, ku një prej tyre është edhe krijimi i bordit të përbashkët që i ka 11 anëtarë: 5 duhet të jenë prej Mitrovicës së Jugut, 5 prej Mitrovicës së Veriut dhe një anëtar e cakton Qeveria,” ka thënë Hamza, duke shtuar edhe disa projekte të tjera të përbashkëta për qytetin e Mitrovicës.

Ai tutje ka thënë se si kryetar i Komunës së Mitrovicës është i lumtur që pa ndonjë pompozitet të madh, por me rëndësi të madhe, ka kryer projekte në të dy anët e qytetit.

“Një prej tyre është shëtitorja rreth lumit Ibër, edhe në pjesën veriore edhe në pjesën jugore, dhe normalisht që gjithmonë jam i gatshëm për bashkëpunim edhe me kolegët e mi nga Mitrovica Veriore edhe komunat në veri të Kosovës, që janë me interes të përbashkët në atë pjesë,” ka thënë Hamza.

Hamza ka thënë se këto kanë qenë temat e bisedës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“Sigurisht që ka pasur spekulime se a ka pasur biseda edhe rreth koalicionit në nivelin qendror. Unë po ua them jo, se me kon pas, kisha thënë po,” ka thënë Hamza.