Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka përmbyllur vizitën e tij dyditore në Washington D.C., nga e cila thotë se është kthyer “jashtëzakonisht pozitiv” për perspektivën e re të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përmes një postimi në Facebook, Hamza ka ndarë detaje nga takimet e shumta që zhvilloi me zyrtarë të lartë amerikanë.
Hamza tha se gjatë vizitës pati takime në Shtëpinë e Bardhë, Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentin e Shtetit, ku prezantoi vizionin e tij për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rindërtimin e partneritetit të thellë strategjik me SHBA-në.
Ai u ftua gjithashtu në një takim të veçantë nga James Carafano, këshilltar i lartë i presidentit dhe pjesë e Fondacionit “Heritage”, organizatë e njohur për afërsinë me administratën e presidentit Donald Trump. Në takim morën pjesë edhe ekspertët Anthony Kim dhe Max Primorack, të cilët diskutuan me Hamzën rreth forcimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë.
“Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë, me projekte konkrete, me investime të prekshme dhe me përfshirjen e SHBA-së në zhvillimin e hovshëm të Kosovës në diplomaci, ekonomi, energji, ushtri dhe inteligjencë”, shkroi Hamza.
Ai theksoi se për një kohë të gjatë komunikimi strategjik me SHBA-në ka qenë i dobësuar dhe se rifillimi i këtij partneriteti është jetik për të ardhmen e vendit. Hamza u shpreh i bindur se mundësitë e bashkëpunimit janë “të pashtershme”, duke paralajmëruar angazhim të shtuar në projekte konkrete mes dy vendeve.