Hamza: S’kemi kandidat pa marrëveshje paraprake

Para nisjes së mbledhjes të Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, kryetari i saj, Bedri Hamza ka thënë se partia e tij zyrtarisht nuk e ka asnjë kandidat për president.

Hamza ka thënë se nuk është diskutuar për emra për kandidat, pa u arritur paraprakisht një marrëveshje.

“Jo nuk ka marrëveshje. S’kemi propozuar se s’kemi mbërri fare deri te propozimi. Ne kemi folur parimisht, kemi dashur ta ketë vendi një president, urojmë që të ketë president. Ne kemi kërkuar që paraprakisht të dakordohemi që presidenti të zgjidhet i propozuar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, një emër dinjitoz shumë, që s’do të thotë brenda strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, po mund të jetë edhe jashtë strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, që i ka atributet dhe kualitetet që duhet t’i ketë një president“, tha ai.

Ai tha se ende nuk ka marrë ftesë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për ndonjë takim të ri.

“Nuk kemi kandidat, të gjitha janë spekulime. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka kandidat për president pa marrëveshje paraprake. Jo, nuk kemi ftesë”, ka thënë Hamza.