Haxhiu: Vendimin për hyrjen në karantinë të veriut, e ka marrë Ministria e Shëndetësisë

Rreth gjendjes së krijuar në komunat veriore, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është referuar kritikave të opozitës, se gjendja nuk është menaxhuar si duhet.

Në emisionin Raport të KTV-së, ajo ka thënë se është hipokrizi që ata që kanë ndërmarrë veprime për shkëmbime territoresh, sot flasin për gjëra të tilla.

“Pra një Qeveri që ka qenë gjashtëdhjetë e ca ditë në qeverie, e paska ndarë veriun!”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, arsyeja se përse nuk është përmendur futja në karantinë, është shkaku i ndjeshmërisë së situatës atje.

“Ne nuk kemi dashur ta bëjmë në tupan. Pra, vendimin për hyrjen në karantinë, e ka marrë Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Albulena Haxhiu.