Dështoi zgjedhja e kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, për kryetar të Kuvendit të Kosovës në vazhdimin e sotëm të seancës konstituive, raporton Ekonomia Online.
Në seancë nga 115 deputetë të pranishëm, 57 votuan për, 52 kundër dhe 7 abstenime.
Kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën dhe njoftoi se vazhdimi i saj do të jetë më 24 gusht.
Propozimi i bërë nga Donika Gërvalla për Hekuran Muratin për kryeparlamentar u përcoll me reagime të zëshme të deputetëve në sallë.
Më parë, në vazhdimin e seancës të hënën më 20 gusht, Lëvizja Vetëvendosje propozoi njërën pas tjetrës Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën për kryeparlamentare. Asnjëra nga kandidatet nuk mori 61 votat e nevojshme.
Vazhdimi i sotëm i seancës konstituive ishte i dyti pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që përcaktoi zgjedhjen e kryeparlamentarit brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur, që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Partitë po vazhdojnë me akuza të ndërsjella për bllokadën në Kuvend.
Pas seancës së 20 gushtit, Vetëvendosje V-ja akuzoi PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe se po bllokojnë zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke vlerësuar se u vërtetua se problemi nuk ishte tek emri i Albulena Haxhiut, por problemi është Vetëvendosje.
Nga ana tjetër, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë e akuzuan Vetëvendosjen se qëllimshëm ka kandiduar Haxhiun dhe Donika Gërvallën, pasi thanë se partia fituese e zgjedhjeve e ka ditur se ato nuk kanë vota.