Helmimi i gati 900 personave në Deçan, mund të jetë i qëllimshëm

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, deklaroi se që nga e shtuna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë kanë kërkuar ndihmë mjekësore 884 pacientë, të cilët dyshohen se janë helmuar nga uji.

Ramosaj tha se nga rezultatet e para ka dalë që kimikisht uji është i pijshëm derisa tha se rezultatet biokimike ende nuk kanë dalë. Mirëpo, vetëm këtë muaj dy herë është dyshuar për helmim uji, duke bërë që autoritetet lokale të supozojnë edhe për një skenar të qëllimshëm.

Pavarësisht kësaj, Ramosaj ka hedhur dyshime që një helmim i ujit ka mundur të bëhet qëllimshëm, pasi që tha se është hera e dytë brenda një muaji që përsëritët e njëjta gjë.

Ai u shpreh se kanë njoftuar të gjitha organet kompetente për te hetuar këtë rast.

“Edhe pse është thënë që ujësjellësi rezultatet e para kanë dalë që kimikisht nuk është ndonjë telashe me ujin e pijes, është i përdorshëm, mirëpo që po i presim edhe analizat mikrobiologjike, të cilat do na japin një rezultat të saktë. Përkushtimi edhe im, edhe i kolegëve të mi, institucionet me të cilat kemi pasur takim sot është se ne nuk do të ndalemi derisa të gjejmë shkaqet dhe arsyet pse ka ndodhur gjithë ky helmim nëse mund ta quajmë në Komunën e Deçanit, që deri tash janë diku 884 pacientë që i kanë simptomat e njëjta”, tha ai.

Ramosaj tha se analizat biokimike pritet të dalin deri në mbrëmje, e që më pastaj bëhet ekspertiza shtesë që të dalin me rezultate përfundimtare.

Ramosaj tha se është hera e dytë brenda një muaji që raportohen raste të ngjashme të helmimit me ujë, e që sipas tij, kjo i bën të dyshojnë se një gjë e tillë po bëhet qëllimshëm.

“Është hera e dytë brenda një muaj dite që po raportohet e njëjta situatë, e që na bën të supozojmë që këto edhe mund të jenë të qëllimshme. Le të jetë në kompetencën e Prokurorisë së Shtetit të cilët tash po merren me këtë proces”, tha ai.

Kreu i Deçanit, ka paralajmëruar edhe masa ndaj kompanisë së ujësjellësit, nëse vërtetohet se helmimi ka ardhur nga uji.

“Masat që do të ndërmerren ndaj ujësjellësit janë masa ligjore, janë masa në kuadër të kompetencave ligjore që shteti ynë funksionon dhe po ashtu do të ketë edhe masa me kompetencë e që janë edhe të aspektit politik dhe administrativ, ku e ka një kohë të gjatë që është menduar e që kompania e cila merret me ujësjellësin të jetë kompani komunale, për shkak të funksionimit dhe të mirëmenaxhimit e të mirëfunksionimit”, tha Ramosaj.

Ai është përgjigjur edhe sa i përket ankesave të qytetarëve se pusetat e ujësjellësit janë të hapura dhe mund të hyjë kushdo.

“Krejt këto fjalët ose pretendimet të cilat jajë të ngritura janë në kuadër të supozimeve, nuk mund as me u mburrë me veprimtarinë ose me funksionimin e një kompanie rajonale sikur është ‘Hidrodrini’, mirëpo që edhe qytetarët nuk është se kanë qasje nëpër krejt këto rezervuarëve, bazenëve për shkak të rrethojave, për shkak të mbylljes që janë dhe për shkak të një monitorimi që këta kohë pas kohe ia bëjnë. Nuk është siguria në nivelin e duhur ndoshta përreth këtyre pusetave, mirëpo që qasja në to sidomos rezervuarët e mëdha të ujit është më e vështirë, ndërsa tek pusetat edhe mund të ndërhyjnë edhe qytetarët sidomos në pusetat ku janë larg zonës urbane”, tha ai.

Pas rasteve të para që janë paraqitur në QKMF, Ramosaj tha se kanë kërkuar nga banorët e 10 fshatrave që furnizohen nga gypi i njëjtë të mos e përdorin ujin deri në përfundim të rezultateve.