Historia e përhapjes së koronavirusit, zëri i mjekut që nuk u dëgjua

Ishte dhjetori i vitit të shkuar. Një mjek kinez kishte kapur në dorë kamerën dhe po mundohej ta njoftonte botën se diçka e rrezikshme po afrohej. I kishte rastisur të trajtonte disa raste të të infektuarve me njëfarë virusi të panjohur e që mund të përhapej. Ama zëri i tij, do të mbytej në Kinën që nuk lejonte që emri t’i njollosej.

Jo shumë kohë më vonë, ajo që mjeku kinez, Li Wenliang, paralajmëroi nisi t’i alarmonte edhe të tjerët. Numri i personave që po i shfaqnin simptomat e atij virusi por rritej furishëm.

Fjala ishte fillimisht për banorë të qytetit Wuhan, ku prej një tregu kafshësh besohet se buroi virusi që sot njihet me emrin Covid-19.

Për pak muaj, numri i të infektuarve dhe të vdekurve u rrit bashkë me atë të vendeve të prekura. Sot mbi 5 mijë persona kanë vdekur dhe më se 137 mijë të tjerë janë infektuar në afro 120 vende të botës. E vetëm pak ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandemi globale të koronavirusit, ky trup botëror e dha një tjetër alarm. Atë se tani është Evropa epiqendra e re e pandemisë. Kjo ngase Italia ka tani numrin më të madh të të vdekurve, mbi 1 mijë, dhe më se 15 mijë të infektuar. Pas saj rreshtohen Spanja me 4.334 raste, Gjermania me 3.156 dhe Franca 2.882. Ndërkohë, shifrat në vendet e tjera të bllokut evropian po rriten dita ditës, raporton KTV.

Paniku i shkaktuar dhe domosdoshmëria për marrjen e masave të parandalimit shtrënguan këto vende të marrin vendime të ashpra. Italia e vuri gjithë shtetin në bllokadë. Spanja shpalli gjendje të jashtëzakonshme e këtë mund ta bëjnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë shtete mbyllën kufijtë, me mijëra fluturime u pezulluan, shkollat u mbyllën, u ndaluan tubimet publike dhe u anuluan shfaqjet kulturore e ndeshjet sportiv. E në rastin e Italisë, u mbyllën edhe dyqanet, pos atyre ushqimore dhe barnatoret.

Në Ballkan, Greqia, Serbia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria dhe së fundi edhe Kosova kanë konfirmuan raste të të prekurve me koronavirus. Në të gjitha këto vende u mbyllën shkollat dhe u zbatuan kufizime në kalimin e kufijve.

Megjithatë, OBSH-ja ka thënë se koronavirusi është pandemia e vetme që mund të mbahet nën kontroll. Ndërkohë institutet globale shëndetësore po punojnë intensivisht në gjetjen e një vaksine.