Hyn në fuqi memorandumi për sigurinë 4G dhe 5G

Memorandumi i Mirëkuptimit midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe SHBA-së për sigurinë 4G dhe 5G, ka hyrë tashmë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

I firmosur në Bruksel, më 13 qershor 2021 nga Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ky memorandum jo vetëm që do të përmirësojë sigurinë kombëtare, por gjithashtu do të ofrojë mundësi që novatorët e sektorit privat të kenë sukses në kushte të konkurrencës së lirë dhe të ndershme dhe do të përfitojnë nga ekonomitë përkatëse digjitale.

Duke marrë parasysh që rrjetet e sigurta të gjeneratës së pestë (5G) do të jenë me rëndësi jetike si për prosperitetin e ardhshëm ashtu dhe sigurinë kombëtare dhe që vendimet e marra në lidhje me rrjetet e komunikimit pa tel të gjeneratës së katërt (4G) do të paraqesin implikime serioze për instalimet e ardhshme të 5G, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara shprehin dëshirën e tyre për të forcuar bashkëpunimin e tyre për 4G dhe 5G.

“5G do të mundësojë një gamë të gjerë aplikimesh të reja, përfshirë edhe ofrimin e shërbimeve kritike për publikun, të cilat do të jenë në interes të qytetarëve tanë dhe ekonomive tona”, thuhet në Memorandum.

Si aleatë të NATO-s, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kuptojnë se përdorimi i rrjeteve 5G të prodhuara nga prodhues jo të besueshëm mund të rrezikojë ndërveprimin ushtarak dhe civil dhe mundësitë e shkëmbimit të dhënave të inteligjencës.