IKSHPK-ja sqaron opinionin sa i përket testimeve për koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka sqaruar dilemat sa i përket testimeve të qytetarëve për pandeminë COVID-19, duke thënë se laboratorët e Institutit Kombëtar po punojnë me kapacitet të plotë në përputhje me burimet njerëzore, kapacitetet laboratorike duke u bazuar në indikacionet epidemiologjike dhe planifikimin e rregullt në përcjellje të situatës aktuale epidemiologjike.

“Duhet të tregojmë kujdes lidhur me presionin disi të rritur nga punëtorët shëndetësorë për të realizuar edhe më shumë teste. Përtej menaxhimit dhe planifikimit të institucionit ku punojnë, pa u bërë vlerësimi i rrezikshmërisë së kontaktit me personat që kanë rezultuar pozitivë në SARS-CoV-2, pa u marrë parasysh protokollet e vetë-izolimit dhe testimit, nuk mund të kërkohet me urgjencë marrja e mostrave për testim”, thuhet ndër të tjera në sqarimin e IKSHPK-së.

Po ashtu theksohet se për çdo rast që referohet si i dyshimtë në COVID-19 nga Klinika Infektive, Klinikat e tjera të QKUK, spitalet rajonale, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe rastet që raportohen nga terreni, menjëherë iniciohet hulumtimi i rastit dhe gjurmimi i kontakteve. ”Instituti Kombëtar garanton qytetarët se po e përcjell situatën epidemiologjike me të gjitha kapacitetet e veta ku askush që ka indikacione epidemiologjike dhe klinike për testim nuk mbetet pa testuar, duke përfshirë këtu edhe grupet e rrezikut (në radhë të parë personat e moshuar dhe me sëmundje kronike”, bëhet e ditur në njoftimin për media.

Në fund IKSHPK-ja bënë apel te qytetarët që t’i përmbaheni të gjitha rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Mbani distancën fizike për së paku 2 metra dhe aplikoni masat e nevojshme higjienike.