Ironi politike: Liburn Aliu u largua për shkak të Dimal Bashës, Kurti e propozon atë në postin e tij

Më 27 gusht të këtij viti, Liburn Aliu njoftoi papritur dorëheqjen nga posti i ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Dorëheqja e tij erdhi vetëm një ditë pasi Dimal Basha u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Kosovës (26 gusht 2025).

“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit të kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim,” kishte shkruar Aliu në postimin e tij më 27 gusht.

Ndërkohë sot, në seancën e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë “Kurti 3”, kryeministri në detyrë Albin Kurti propozoi Dimal Bashën për postin që më herët e mbante Liburn Aliu.

Lidhur me këtë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, sqaroi se propozimi për Dimal Bashën ishte bërë para se ai të zgjidhej Kryetar i Kuvendit.

Megjithatë, formimi i Qeverisë “Kurti 3” dështoi pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti t’i mbledhë votat.