Isa Mustafa merr rrogë në Fakultetin Ekonomik pa mbajtur asnjë orë mësimi

Organizata “Demokracia Studentore” kërkon nga rektori aktual i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” që t’i largojë profesorët, të cilët janë të fuqishëm në politikë dhe nuk mbajnë mësim dhe paguhen nga UP-ja.

Kjo organizatë studentore, përmes një kumtese, thotë se njëri prej këtyre ptrofesorëvec është  edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili është profesorë i rregullt në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe nuk ligjëron më shumë se katër vite!

“Në bazë të një hulumtimi nga organizata jonë ‘Demokracia Studentore’, Isa Mustafa merr rrogë me shumë se katër vite prej UP-së përkatësisht nga Fakulteti Ekonomik pa ligjëruar asnjëherë në universitet. Andaj ne si organizatë kërkojmë nga rektorati aktual që mos t’i frikësohet politikanëve të fuqishëm dhe t’i liroj nga detyra të gjithë ata profesor me ndikime politike që deri më tani e kanë përdoruar autoritetin e tyre dhe janë paguar nga universiteti pa mbajtur asnjë orë mësim”, thuhet në komunikatë.

Mexhid Ramusa nga kjo organizatë tha se “profesorët të cilët janë me ndikim politik, si Isa Mustafa, i kanë uzurpuar pozitat e tyre dhe nuk po e lënë universitetin që të zhvillohet”.