Isa Mustafa shërohet nga koronavirusi: Kishte të tillë që e uruan vdekjen time

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ka njoftuar se është shëruar nga COVID-19.

Ai ndër të tjera ka thënë se kishte persona që i duartrokitën sëmundjes së tij dhe ia uruan vdekjen, por shton se me ta do të merret drejtësia.

“Miq të nderuar, kishte edhe të tillë që i duartrokitën sëmundjes time e që uruan vdekjen time. Pati të sojit që sajuan varrimin tim virtual në rrjetet sociale e ma tmerruan një pjesë të familjes e cila nuk ishte në rrjedhë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodhë. Edhe këtyre iu uroj shëndet; fëmijëve dhe familjeve të tyre! Fati ynë është që tjetërkush vendosë për jetën tonë, ndërsa me disa merret drejtësia. Covid-19 po bënë të veten, por ne duhet ta bëjmë tonën, të respektojmë rregullat që kërkohen nga institucionet shëndetësore. Uroj që ata që janë prekur me Covid-19 të shërohen sa më shpejtë, kurse me dhembje të thellë u shpreh ngushëllime të gjitha familjarëve që humbën të afërmit e tyre”, ka thënë ai.

Ai tutje ka falënderuar familjen e mjekët për kujdesin, duke shtuar se këta të fundit meritojnë më shumë sesa që iu ofrohet.

“Kam nderin të falënderoj gjithë ata që janë lutur për shëndetin tim. Familjen time të mrekullueshme për kujdesin e pareshtur, bashkëshorten Qevseren, vajzën time, doktoreshën Afërditë, djemtë Arbenin e Besnikun dhe nipin tim Metin; motrat dhe vëllezërit. Një falënderim të veçantë e meritojnë mjekët tanë të fushave të ndryshme që më udhëzuan dhe rekomanduan kur kisha nevojë, prof . Dr Sali Ahmeti, prof. Dr Afrim Gashi, dr. Rexhep Manaj, dr. Valbon Krasniqi, prof. dr. Venera Berisha-Muharemi, dr. Bujar Gjikolli. Mjekët dhe sistemi shëndetësor meritojnë shumë më shumë sesa që ne u ofrojmë”, ka thënë ai.

Mustafa ka falënderuar edhe udhëheqës institucionesh në vend e rajon të cilët uruan për shërimin e tij.

“Falënderoj për mbështetje nga bashkëpunëtorët e LDK-së, kolegët nga ASHAK dhe Universiteti i Prishtinës! Falënderoj Presidentin Thaçi, Presidenten Jahjaga, Kryeministrin Hoti, Kryeparlamentaren Osmani, Kryetarin e PDK-së, Veseli, Kryetarin e AAK-sê, Haradinaj, Kryetarin e Nismës, Limaj, kryetarin e AKR-së, Pacolli, kryetarin e Prishtinës, Ahmeti, nënkryetaren e Kuvendit nga VV, Nagavci; burrështetasit shqiptarë: Presidentin Ilir Meta, Presidentin, Sali Berisha, Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e PD, Lulzim Basha, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramos Ruçi, Sekretarin e PS, Taulant Balla, kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti; si dhe ambasadorin e SHBA-së Kosnett, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Abott, ambasadorin e Italisë, Orlando, ambasadori zviceran, Lebet, deutetë të pozitës dhe opozitës dhe shumë qytetarë për tregimin e kujdesit dhe urimet e tyre për shëndetin tim”, ka thënë ai.