Xhavit Haliti

Iu afrua Kosovës, trajneri belg po bën histori me Malin në Kupën e Afrikës

Trajneri belg, Tom Saintfiet, shumë herë ka shfaqur interesim që ta marr drejtimin e përfaqësueses së Kosovës në futboll. Saintfiet ishte i bindur se me Kosovën do të shkruante histori suksesi.

Por ai aktualisht po shkruan histori me një përfaqësuese tjetër. Po e udhëheq Malin drejt suksesit të madh në Kupën e Afrikës në futboll.

Mali e kaloi Grupin A, duke barazuar në të tri ndeshjet. Luajti 1:1 me Zambinë, 1:1 me Marokun, organizatorin e kampionatit afrikan, dhe 0:0 me Komoret. Të shtunën mbrëma Mali bëri befasi të madhe duke e eliminuar Tunizinë në një të tetën e finales.

Tunizia vlerësohej favorite e madhe. Sikur kjo të mos mjaftonte, Mali mbeti me një lojtar më pak në fushë që në minutën e 26-të. Tunizia kaloi në epërsi 1:0 në minutën e 88-të, por Mali barazoi 1:1 në minutën e 96-të. Në vazhdime nuk kishte gola, kurse Mali e humbi edhe penalltinë e parë. Por në fund fitoi 3:2 për të bërë vend në çerekfinale të Kupës së Afrikës.

“Jam krenar për portierin dhe për të gjithë lojtarët. Para ndeshjes u kam thënë se janë kampionë”, ka thënë belgu Saintfiet.

Ka bërë bujë deklarata e tij se Mali mund ta fitojë Kupën e Afrikës pa e fituar asnjë ndeshje përgjatë 90 minutave. Deri në çerekfinale tashmë ka arritur në këtë mënyrë. Mali do të përballet në çerekfinale me favoritin e madh, Senegalin.

“Jemi përgatitur mirë për ndeshjen me Tunizinë dhe lojtarët e kanë ditur saktësisht çka po bëjnë. Tani kemi Senegalin në çerekfinale. Senegali do të jetë favorit, siç ishin edhe Maroku e Tunizia në ndeshjet e kaluara. Kemi objektiv të qartë, që është të vazhdojmë në garë”, ka thënë Tom Saintfiet.

Saintfiet është 52-vjeçar, kurse Malin e drejton nga viti 2024. Ka udhëhequr edhe Filipinet, Gambinë, Maltën, Trinidad dhe Tobagon, Bangladeshin, Togon, Malavin, Jemenin, Etiopinë, Zimbabvenë, Namibinë. Ka drejtuar edhe skuadra të ndryshme.

Te Kosova, megjithëse shprehu interesim disa herë, nuk është se u vlerësua në mesin e kandidatëve për selektor. Por me ecurinë aktuale, Saintfiet në të ardhmen ndoshta edhe mund të shqyrtohet si opsion.