KF Mati nis rindërtimin, fokus te zhvillimi i futbollistëve nga 5 deri në 17 vjeç

KF Mati ka nisur një proces të ri zhvillimi, duke synuar të ndërtojë jo vetëm një ekip futbolli, por një sistem të strukturuar për zhvillimin e futbollistëve të rinj nga mosha 5 deri në 17 vjeç.

Klubi ka prezantuar programin e tij të punës, të quajtur “Mati Elite Development Program”, përmes të cilit synohet krijimi i një rruge të qartë zhvillimi për secilin lojtar.

Programi është i ndarë në nivele të ndryshme, të cilat përfshijnë Bronze, Silver, Gold dhe Premium. Sipas klubit, këto nivele janë pjesë e një metodologjie të strukturuar, që synon t’u përshtatet fazave të ndryshme të zhvillimit të futbollistëve të rinj.

KF Mati thotë se fokusi nuk do të jetë vetëm te stërvitjet, por te një proces më i gjerë, ku secili lojtar do të ketë objektivat dhe rrugëtimin e tij të zhvillimit.

“Çdo lojtar do të ketë rrugën e tij të zhvillimit, objektivat e tij dhe procesin e tij të punës”, thuhet në prezantimin e programit.

Qëllimi i klubit është krijimi i një baze të qëndrueshme për zhvillimin e talenteve dhe ndërtimi i një kulture sportive që synon rezultatet në afat të gjatë.

Në këtë kuadër, “Mati Elite Development Program” synon të ndërthurë metodologjinë, identitetin e klubit dhe zhvillimin individual të lojtarëve.

KF Mati e përshkruan këtë proces me moton: “Building players. Building identity. Building the future.”

Klubi thotë se rindërtimi tashmë ka filluar dhe se synimi është që e ardhmja e tij të ndërtohet përmes investimit te gjeneratat e reja.