Avokati Arianit Koci ka reaguar publikisht lidhur me dyshimet për manipulim të votave brenda subjekteve politike gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se, sipas tij, vjedhja e votave nga një kandidat te tjetri brenda së njëjtës parti po ndodh “në mënyrë industriale”.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Koci ka ngritur shqetësimin se ky fenomen po realizohet përmes komisionerëve, duke cenuar seriozisht integritetin e procesit zgjedhor.
Ai ka vënë në pikëpyetje reagimin e institucioneve të drejtësisë, duke pyetur nëse Prokuroria apo Policia do të nisin hetime për këto pretendime, ndërsa ka theksuar se nuk është hera e parë që flitet për këtë lloj manipulimi.
Sipas avokatit Koci, vjedhja e votës, pavarësisht se ndodh brenda së njëjtës parti politike, përbën devijim të drejtpërdrejtë të vullnetit të qytetarit dhe dëmton rëndë besimin në procesin demokratik.
Në fund të reagimit, Koci u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndajnë informata konkrete për këto raste, qoftë përmes komenteve publike apo mesazheve private.