Kompania mashtruese dëmtoi Telekomin e Kosovës mbi 100 mijë euro

Zëdhënësi i Telekomit  të Kosovës, Menduh Abazi, në një konferencë për media ka bëri të ditur se Policia e Kosovës, ka përfunduar bastisjen lidhur me mashtrimin nga një kompani, ndërsa sipas informatave të para dëmi që i është shkaktuar Telekomit është mbi 100 mijë euro.

Ai tha se këtë bastisje e ka iniciuar Telekomi në përpjekje për të mbrojtur pasurinë publike. “Është diçka që ne e kemi iniciuar. Është punë e jona në përpjekje për të mbrojtur pasurinë publike dhe një obligim ligjor që rrjedh nga ne”, tha Abazi.

Dyshohet sipas tij, se një kompani ka mashtruar Telekomin, duke përdorur dokumente false dhe dëmi për Telekomin është mbi 100 mijë euro. “Është hera e parë që po e iniciojmë një rast të tillë dhe është për të ardhur mirë që kaq shpejtë është reaguar”, theksoi zëdhënësi Menduh Abazi.

Sipas informatave që i ka Telekomi, i dyshuari është nga Maqedonia dhe është arrestuar në Ferizaj.